Ditën e djeshme ishte 30 vjetori i masakrës së madhe zgjedhore të 26 majit 1996, ku pushteti i Presidentit të kohës, Sali Berisha, përmes dhunës siguroi votat për të vijuar qeverisjen e vendit deri në vitin 1997, kohë në të cilën nisi lufta civile pas skandalit me firmat piramidale, ç’ka do të sillte më pas edhe rrëzimin e PD-së.
Ish-deputeti socialist Petro Koçi, i cili ka qenë dëshmitar i ngjarjeve të majit 1996, në studion e emisionit ‘Repolitix’ ka përshkruar momentet e tmerrshme që kaloi vendi gjatë asaj periudhe.
Petro Koçi, duke e cilësuar pushtetin e kohës së Berishës një regjim fashist, deklaroi se u përdor dhunë dhe u derdh gjak, në mënyrë që PD të merrte fitoren në 26 maj 1996.
Ish-deputeti ka treguar se komisionerët për zgjedhjet e 26 majit rrëmbeheshin nga SHIK-u i kohës, i komanduar nga Berisha dhe dhunoheshin barbarisht, në mënyrë që të mos ishin të gatshëm të kujdeseshin për procesin zgjedhor.
Koçi sjell rastin e një komisioneri, i cili sipas tij u rrëmbye në Fier dhe u dërgua në plazhin e Semanit, 18 kilometra larg qytetit, me qëllim që të mos merrte pjesë në procesin zgjedhor.
“Zgjedhjet e 26 majit janë dëshmi e një regjimi fashist, jo thjeshtë një regjimi të korruptuar. Zgjedhjet nuk u manipuluan, por ato u grabitën me dhunë, me forcë, me gjak. Ishte dhunë e egër mbi zgjedhjet dhe unë e kam quajtur grusht shteti. Zgjedhjet e 26 majit vijnë pas fitores së opozitës në referendumin për Kushtetutën dhe Sali Berisha e dinte shumë mirë cili ishte vullneti politik i zgjedhësve. Ngjarjet kanë qenë shumë të rënda. Bëhej fjalë për rrëmbim komisionerësh, jo vetëm ditën e zgjedhjeve, por edhe para zgjedhjeve. U shkonin nëpër shtëpi dhe i rrëmbenin. Në Fier kanë rrëmbyer një komisioner dhe e çuan në Seman, 18 km larg Fierit dhe e lanë atje mes plazhit që të vinte në këmbë në shtëpinë e vet”, tha mes të tjerash Koçi.
Ish-deputeti socialist kujtoi gjithashtu rrëmbimin e regjisorit Kiço Londo në datën 29 maj në Fier. Petro Koçi tha se Londo u mbajt për disa orë nga forcat e SHIK-ut dhe u dhunua me shishe plastike të mbushura me ujë.
Sipas ish-deputetit, e gjithë dhuna e ushtruar nga pushteti i Berishës gjatë periudhës para zgjedhore, por edhe gjatë zgjedhjeve, bëhej me qëllim frikësimin e socialistëve.
“Ngjarjet e Fierit, marrim kulmin e vet në datën 29, një ditë pas datës 28, për të cilën flasim më vonë. Në Fier përshembull është rrëmbyer Kiço Londo, disa ditë para zgjedhjeve. Dhe ka shpëtuar vetëm sepse… Kiço Londo është rrëmbyer në sheshin para Teatrit Bylis, por fati i tij ishte se dikush ka parë momentin dhe është regjistruar ngjyra e makinës dhe targa. Dhe shpëtoi sepse ne falë një gruaje shumë trimëreshë që punonte në centralin telefonik të Patosit, ajo na dëshmoi të gjithë komunikimin që kishte pasur SHIK-u i Fierit me njerëzit e vet në Patos. Dhe të gjitha këto të nesërmen kanë dalë te Zëri i Popullit dhe prandaj shpëtoi Kiço, sepse ne e dimë shumë mirë që është rrahur në qelitë e SHIK me shishe me ujë. Mbusheshin shishet plastike me ujë dhe qëllohej. Të gjitha këto bëheshin për të frikësuar socialistët”, vijoi Petro Koçi.
Kujtojmë se pas masakrës zgjedhore, në 28 maj PS organizoi një protestë që kundërshtonte procesin zgjedhor, por aktivistët e kësaj force politike dhe qytetarët u dhunuan barbarisht nga policia e Berishës.
