Nga foltorja e Kuvendit ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu përsëriti apelin për respektimin strikt të masave. Ajo bëri të ditur se do të hapen dhe dy spitale të tjera COVID, teksa foli dhe për diskot dhe klubet e natës, që sipas saj janë burim i infeksionit.
“Vendimet merren për shëndetin e qytetarëve dhe janë të vlerësuar për uljen e zinxhirit të infeksionit, por ka një fakt që duhet ta vlerësojmë, këto masa nuk janë për gjobën si qëllim, por si parandalim. Të rinjtë apo ata që frekuentojnë klubet e natës dhe diskot janë vlerësuar si përhapës të një zinxhiri infeksioni gjatë kësaj periudhe, vetë shëndeti i tyre kompromentohet dhe bëhen vektorë të shpërndarjes së infeksionit te prindërit dhe të moshuarit”- tha ministrja.
Ajo shtoi se po bëhen përgatitje për vjeshtën dhe dimrin ku tha se pritet shtim i rasteve të infeksionit.
“Jemi duke u përgatitur për vjeshtën dhe dimrin, për të administruar situatën, që nëse do të vijojmë të kemi neglizhim të zbatimit të masave, duhet të përgatitemi për rritje të infeksionit. Po marrim masa parandaluese, ndaj ky vjen në vijim të masave parandaluese, edhe maska me ligj është masë parandaluese. Puna më e madhe është në territor me epidemiologët, jemi duke punuar për të fuqizuar skuadrat lëvizëse të Urgjenca në funksion të dhënies së shërbimit në banesë, e po ashtu për skuadrat rezervë për hapjen e Covid 3 dhe Covid 4 dhe po rrisim kapacitet e testimit”- tha ajo.
Sipas ministres, gushti, shtatori, tetori “kërkon masa që ne do i marrim se është domosdoshmëri, cdo masë nuk është e lehtë për ne, por e nevojshme për të ruajtur dhe kujdesur për shëndetin publik, ndaj jemi të vendosur për masat dhe planin e veprimit”.
