Do të mbahet sot në Londër samiti i radhës i Procesit të Berlinit, i cili do të mbledhë 6 liderët e Ballkanit Perëndimor. I pranishëm do të jetë edhe kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në kryeqytetin britanik që prej ditës së djeshme, ku ka marrë pjesë edhe në disa panele diskutimi.
Do të marrë pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Liderët e dy vendeve shqiptare do të ndajnë të njëjtën tryezë pas polemikave të fundit në distancë për tubimin në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Tiranë dhe qëndrimet për Gjykatën Speciale të Hagës.
Samiti i këtij viti pritet të fokusohet në çështjet e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe migrimit, ndërsa udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të nënshkruajnë deklarata të përbashkëta për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimin energjetik.
Sipas axhendës, kryeministri Rama do të pritet nga homologu britanik Keir Starmer në orën 14:20. Në orën 14:45, parashikohet fotoja familjare ndërsa seanca plenare e samitit do të nisë në orën 15:00. Samiti do të jetë i organizuar në dy panele me temë “Ambicia dhe Vizioni Strategjik” dhe ”Rritja, Migrimi dhe Siguria”, ku do të mbajë një fjalë edhe Rama.
Procesi i Berlinit, i cili u iniciua nga qeveria gjermane në vitin 2014, është një platformë ndërkombëtare që bashkon qeveritë e të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me partnerë të tjerë evropianë. Qëllimi i tij është të rrisë bashkëpunimin rajonal, të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe të përshpejtojë përpjekjet e tij për një afrim më të ngushtë evropian në Ballkanin Perëndimor.
