Kryeministri Edi Rama tha se qeveria do të ndërhyjë drejt për drejtë përsa i përket mbetjeve urbane duke kritikuar bashkitë për menaxhimin e tyre. Ai tha se asnjë buxhet i bashkive nuk do të kalojë pa parashikuar sipas kostimit që qeveria do të punojë për ta për pastrimin.
“Qeveria do të ndërhyje drejt për drejtë. Asnjë buxheti i asnjë këshilli bashkiak nuk do të kalojë nëse nuk do të jetë parashikuar sipas kostimit që qeveria do punojë për ju, pastrimin. Ministrja do të jetë vetë në mbledhjet e këshillave bashkiak dhe do jetë mirë që mos të ndërmarrin hapin që të çojnë një buxhet ku pastrimi të mos jetë parashikuar aty në buxhet. Asnjë bashki nuk ka asnjë problem që të mbulojë pjesën e menaxhimit të përditshëm të mbetjeve, nga pikëpamja financiare”, tha ai.
Sipas Ramës situata është në udhëkryq dhe kërkon zgjidhje tani.
“Populli nuk pyet si ke qenë, po si je sot? Sot situata është në udhëkryq, dhe nga ky udhëkryq duhet të dalim me se s’bën dhe duhet të dalim tani dhe jo pas disa vitesh. Vërtetë që ka gjëra që duhen vite, po dhe gjëra që duan qartësi dhe vullnet. Kemi bashkitë që sot kanë përgjegjësi për një territor që mbulon qendrën, periferinë dhe zonat rurale dhe për fat të keq kemi sot që flasim në territorin e Shqipërisë një numër të papranueshëm venddepozitimesh abuzive, të paligjshme, kriminale në raport me mjedisin por dhe në shkelje të plotë të detyrimeve ligjore të cilat çdo ditë përdoren nga ju”, tha ai.
