Për herë të parë në Tiranë po mbahet mbledhja midis BE-së dhe Shqipërisë, kjo për Këshillin e Stabilizimit dhe Asociimit. Kryeministri Rama ka pritur dy zyrtarët e lartë, shefin e Diplomacisë së BE-së Josep Borrell dhe Komisionerin Europian, Oliver Varhelyi.
Kjo është mbledhja e dymbëdhjetë midis BE-së dhe Shqipërisë për Këshillin e Stabilizimit dhe Asocimit. Në përfundim të takimit, këshilli do t’i adresojë rekomandime Tiranës zyrtare me fokus në kriteret politike, ekonomike dhe te rruga që ka bërë Shqipëria në përafrimin e legjislacionit.

Bashkimi Europian i kërkon autoriteteve shqiptare që të vijojnë me prioritet luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Kjo kërkesë vjen në një kohë kur ekzekutivi synon të kalojë nismën për kultivimin e kanabisit mjekësor.
Në rekomandimet e Bashkimit Europian ndër të tjera nënvizohet edhe rëndësia e dialogut politik si dhe kërkohet implementimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe të Komisionit të Venecias për zgjedhjet e ardhshme vendore.