Pak para propozimit të Komisionit Europian për hapjen ose jo të negociatave për anëtarësim me Shqipërinë, socialistët parashikojnë që të miratojnë edhe paketën e dytë të ligjeve që lidhen me reformën në dejtësi.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Konferencës së Kryetarëve, Taulant Balla ka kërkuar që këto ligje të miratohen që në seancën e datës 8 maj, që sipas tij përkon dhe me datën 9 maj që është dita e Europës, ku Shqipëria raporton për përmbushjen e paketës së dytë të Reformës në Drejtësi.
Tirananews.al sjell për lexuesit edhe diskutimet që janë bërë në këtë mbledhje me dyer të mbyllura.
Taulant Balla – Jemi dakord me planifikimin e raportimeve. Do të dëshiroja të thosha
se për seancën e caktuar në datë 9 maj kemi aktivitete me rastin e ditës së Evropës, ndaj seanca
plenare të planifikohet për datën 8 maj e mërkurë, ora 10.00.
Ulsi Manja – Lidhur me projektvendimin “Për strategjinë e edukimit ligjor të publikut
në Republikën e Shqipërisë”, të planifikohet për seancën e radhës, pasi komisioni i Ligjeve e
miratoi sot. Është një nga projektligjet e paketës së dytë të ligjeve të Reformës në Drejtësi dhe
nëse ka hapësirë të përfshihet në seancë.
Taulant Balla – Nga planifikimi është se deri në seancën e datës 8 maj ne t’i kemi
mbyllur pothuajse tërësisht, pjesën më të madhe të këtyre ligjeve që lidhen me paketën e dytë
të Reformës në Drejtësi. Kjo përkon dhe me datën 9 maj që është dita e Europës, ku Shqipëria
raporton me krenari për përmbushjen e paketës së dytë të Reformës në Drejtësi.
Ulsi Manja – Këtë diskutim e kam bërë edhe me Drejtorinë e Seancës Plenare. Ne në
datën 9 maj do të duhet të votojmë në Kuvend të tre projektligjet e fundit të paketës së dytë të
Reformës në Drejtësi. Njëra u mbyll sot, ndërsa dy të tjerat mbyllen javën që vjen.
Gramoz Ruçi – Bëjini çdo njërën në një seancë dhe mos i lini për një seancë të vetme të
tëra.
Ulsi Manja – Mund të lëmë për datën 8 maj, njërën, të fundit. / tirananews.al
