Në një dalje për mediat nga selia blu, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se me vendimin e qeverisë për mbylljen e kolegjit turk “Mehmet Akif”, kryeministri Edi Rama tregon se është vasal i presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan.
“Dua të dënoj me ashpërsinë më të madhe qëndrimin cinik e të ulët të Edi Ramës, ndaj shkollave dhe arsimit privat në Shqipëri, ky vasal i shpifur i Erdogan, i presidentit të Turqisë që e konsideron Shqipërinë si vend ku mund të urdhërojë hapje e mbyllje shkollash, ka urdhëruar mbylljen e një kolegji me parametrat më të mirë dhe histori 26 vjeçare në Shqipëri, kolegjin “Mehmet Akif”. Rama u tha shqiptarëve se miku i tij me avionin e të cilit udhëton ka blerë godinën, gënjeshtar i lindur. Po me kopshtin që mbylle çfarë kishe? A mundet një kryeministër të bëjë betejë me 255 parashkollorë? ”.
Po ashtu Berisha bëri thirrje që gjimnazistët dhe qytetarët e Tiranës të mbështesin protestën e nxënësve të kolegjit turk. Nga ana tjetër, Berisha thekson se vendimi është marrë jashtë Shqipërisë dhe se mbetet një vendim i turpshëm që ka në bazë lidhje të sëmura dhe të dyshimta.
“U thirrje qytetarëve që të bashkohen dhe të mbështesin protestën e nxënësve të kësaj shkolle, se përbën një shkelje të lirisë së shkollimit në vend. Është vendim i marrë jashtë Shqipërie dhe një vendim i turpshëm që ka në bazë lidhje të sëmura dhe të dyshimta. Si mundet kreu i qeverisë së një vendi me urdhër të një vendi tjetër t’u vërë çelësin shkollave dhe kopshte të vendit të tij. E dënoj me forcën më të madhe këtë vendim, antidemokratik dhe antishqiptar, të një njeriu, unë e kam të lehtë të them i kapur nga Sinan Idrizi, por jo, ai është vetëm një pion në këtë skenar të turpshëm, që nuk ndodh në asnjë vend, ndodh vetëm në republikën e mafies së Edi Ramës. Solidarizim me studentët dhe vogëlushët e kopshtit, viktima të një gënjeshtari që nuk njeh ligje dhe as moral”.