Policia Rrugore ka vijuar me kontrollet në akse të ndryshme të vendit duke gjobitur shoferët e padisiplinuar.
Përgjatë fundjavës janë arrestuar 33 shoferë , nga të cilët 18 për drejtim makine në gjendje të dehur dhe 15 për drejtim makine pa leje drejtimi.
Janë pezulluar 176 leje drejtimi, nga këto 111 për shpejtësi tej normave të lejuara, deri në 214 km/h në Bypass-in e Fierit, 60 për drejtim mjeti në efektin e alkoolit dhe 5 për qarkullim në sens të kundërt.
Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 4123 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore.
Nga Policia Rrugore e Tiranës është goditur një rast i mitëdhënies. Shërbimet e Policisë Rrugore kanë arrestuar në flagrancë një shtetas, i cili pasi është konstatuar duke drejtuar automjetin, pa vendosur rripin e sigurisë, i ka ofruar një shumë parash shërbimeve policore, me qëllim shmangien e ndëshkimit për shkeljen e kryer.
