Në Komisionin Hetimor për Inceneratorët dëshmoi gazetari Jetmir Olldashi, i cili ka raportuar lidhur me kompanitë që sipas tij fshiheshin pas njëra-tjetrës dhe ishin të regjistruara në parajsa fiskale.
Gazetari tha se është paditur lidhur me artikujt e shkruar, dhe se Gjykata e Tiranës e ka dënuar për shpifje.
Në këtë moment ndërhyri deputeti socialist Arben Pëllumbi, duke thënë se Olldashi nuk mund të merret si dëshmitar sipas Nenit 156, ai është i dënuar nga paditësi.
Megjithatë kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku i ka sugjeruar gazetarit të vijojë me dëshminë. Në këtë moment, deputetët e PS braktisën komisionit.
PJESË NGA DEBATI:
Jorida Tabaku: I njihni Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri?
Jetmir Olldashi: I njoh në rrethana zyrtare se më kanë paditur për shpifje.
Tabaku: Sa padi keni?
Olldashi: Kam një padi që i është drejtuar personit tim dhe portalit, Gjykata e Tiranës ka dhënë vendim që më ka dënuar për këtë. Nga një gjyqtar kaçurels që ka dhënë një vendim paçavure.
Belind Këlliçi: Ju jeni dënuar për disa shkrime që sot janë akuzë nga SPAK-u dhe që ju normalisht keni thënë plotësisht të vërtetën, për sa kohë ato janë akuza sot nga SPAK. A keni patur kërkesë të tërhiqni shkrimet tuaja? A jeni ndjerë i intimiduar? Sa kohë keni që raportoni për këto ngjarje?
Arben Përllumbi: Zotëria nuk mund të dëshmojë, Neni 156 papajtueshmëri me detyrën e dëshmitarit. I padituri dhe personi nga i pandehuri. Ky ka një dënim, të formës së prerë.
Tabaku: Ndërkohë që ata kanë qenë në kërkim më kanë paditur dhe mua, nuk do të thotë gjë kjo.
Luçiano Boçi: Përderisa vendimi është në apel, nuk quhet i dënuar
Olldashi: Fati e deshi që unë të dënohesha i pari. Lidhur me aferën e inceneratorëve unë kam patur dijeni që në vitin 2016. Aty kemi bërë një emision të tërë, me Ylli Rakipin te “Të paekspozuarit”. Me kalimin e viteve jemi marrë edhe me shkrime të tjera. Ishin kompani që fshiheshin pas njëra-tjetrës dhe përfundonin në Holandë dhe Offshore. Kishte ndodhur një aferë në Zimbabve, ku jepej një foto e një personi por që ishte Mirel Mërtiri, që kishte shkuar me identitet tjetër.
