Me kokën ulur është shfaqur në sallën e gjyqit sanitarja Tire Alldervishi e cila i mori 8 milionë lekë vajzës së një pacienteje me COVID-19, që më pas ndërroi jetë.
Gjykata la masën e arrestit në burg për sanitaren, avokatet kanë deklaruar se klientja e tyre është në gjendje jo të mirë psikologjike dhe ka qenë e prekur me COVID-19, ndaj gjendja e saj nuk është e mirë, teksa kanë paralajmëruar prova që japin një tjetër tablo.
“Ngjarja është e rende për opinionin publik. Do kërkojmë hetim të plotë. E mbrojtura prej nesh është në gjendje jo të mirë psikologjike. Ka qenë e prekur me COVID dhe gjendja shëndetësore nuk është e mirë. Kërkojmë një masë më të lehtë me afat 1-mujor. Do të sjellim prova që japin një tjetër tablo”, deklaruan avokatet.
Dy ditë më parë u bë publik në emisionin STOP mashtrimi i Tire Alldervishi e cila kishte arritur ti merrte vajzës së një paciente një sasi prej 8 milionë lekësh duke u hequr si infermiere. Ndërkohë vetë e ndjera i ankohej vajzës se nuk i shërbenin si duhet, derisa ndërroi jetë.