Të rinj, të shfrenuar dhe me makina të shtrenjta nuk pyesin më as për rregulla, as për polici dhe më e rëndësishmja as për jetën e tyre dhe njerëzve. Kjo është gjithçka që shikon në një mori videosh të ndryshme, ku fokusi kryesor i tyre është shpejtësia marramendëse që arrin deri në 280km/h, parakalimet e gabuara që bëjnë por ka edhe nga ata që i bëjnë kërshillëk policisë duke ‘ia bërë me drita’ të hapin rrugën apo sfidojnë postblloqet e tyre.
Në tunele, autostradë apo akse të ndryshme rrugore, të rinjtë shfaqin ‘forcën’ e tyre me makinat e shtrenjta dhe shpejtësi skëterrë, duke rrezikuar jo vetëm jetën e tyre por edhe qytetarëve të tjerë.
Duket se vetë policia është e pafuqishme përballë ‘parakalimeve të vdekjes’.
Ishte pikërisht shpejtësia që i mori jetën katër anëtarëve të familjes Gushi, të cilët humbën jetën mëngjesin e djeshëm në një aksident në aksin Fier-Vlorë. Automjeti me të cilin ata po udhëtonin u godit nga një ‘Audi’ luksoz, që po lëvizte në rrugë me mbi 150 km/h.
