Gazetari i kronikës së zezë, Artan Hoxha ka përshëndetur sot aksionin e policisë për arrestimin e dy nga vrasësve të dyshuar të vëllezërve Bilali disa javë më parë në Shkodër. Ai ka publikuar edhe disa foto ku sipas tij gjendet edhe autori kryesor i kësaj ngjarje që është në kërkim.
Komenti i Artan Hoxhës:
Arrestohen dy autorët e vrasjes së vëllezërve Bilali në Shkodër, në kërkim Ibrahim Lici /EMRAT
Rreth 1 muaj nga vrasja e dyfishtë e vëllezërve Bilali në qytetin e Shkodrës, Policia ka arrestuar dy nga autorët e ekzekutimit në derën e shtëpisë të Astrit dhe Brahim Bilalit, 59 dhe 61 vjeç, ngjarje e ndodhur më 30 mars 2019. Ndërkohë i dyshuari kryesor për vrasjen, Ibrahim Lici është ende në kërkim.
Në një operacion policor të koduar “Livadhe”, me emrin e lagjes ku u ekzekutuan me breshëri plumbash vëllezërit, u bë i mundur arrestimi i dy autorëve të dyshuar, ndërsa janë shpallur në kërkim dy persona të tjerë. Arsen Stojku 29 vjeç dhe Milslim Rama 23 vjeç, të dy banues në fshatin Mjedë të Vaut të Dejës, u arrestuan nga policia me urdhër të prokurorisë lëshuar më 25 prill. Të dy akuzohen për vrasje me paramendim kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Ndërkohë, në kërkim është shpallur një 26-vjeçar, Ibrahim Lici si i dyshuari kryesor për veprën penale të vrasjes. Ndërkohë një 29-vjeçar me inicialet D.B është shpallur në kërkim pasi dyshohet të ketë përkrahur autorin e krimit në arratisje. Të katërt, rezulton se kanë planifikuar, organizuar dhe kryer në bashkëpunim këtë vrasje.
Astrit Bilali është babai i Astmer Bilali, i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër, ndërkohë që grupi kundërshtar i tyre janë Licajt. Dyshohet që pikërisht lufta mes këtyre bandave të këtë sjellë viktimat e radhës.
Astrit Bilali ishte një biznesmen i njohur në qytetin e Shkodrës. Kishte në pronësi të tij një resort hipizmi, pasion të cilin ja ka trashëguar edhe djalit të tij, Astmer Bilali. Ndërkohë edhe Brahim Bilali ishte ish-kampion i hipizmit, dhe ishte kryetar i Shoqatës ‘2 Prilli’, masakrës së fundit të komunizmit.
Astmer Bilali ish-boksier i Vllaznisë, ra në qendër të vëmendjes së mediave kohë më parë kur mbeti i vrarë në një atentat shoku i tij Arjan Ferracaku teksa kalëronte pikërisht në resortin e Astrit Bilalit. Në ngjarjen e rëndë, Astmer Bilali ndodhej me Ferracakun kur ai mbeti i vdekur nga plumbat në distancë, dhe u dyshua se ishte pikërisht Bilali shënjestra e autorëve që ngatërruan objektiv.
Pak metra larg vendit ku u vranë vëllezërit Bilali, në një rrugicë të lagjes, autorët dogjën makinën e krimit me targë AA369RV.
Forcat zjarrfikëse bënë të mundur shuarjen e flakëve duke mos lejuar djegien e plotë të makinës. Kjo ishte një shenjë e mirë për policinë kriminale, e cila mund të ketë ndihmuar hetuesit në gjetjen e gjurmëve të autorëve nga fakti që makina nuk është shkrumbuar.