Të dhënat zyrtare të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe atij Gjyqësor tregojnë se në sistemin e drejtësisë më të rrezikuar ndihen prokurorët se gjyqtarët.
Gjatë vitit 2022, përballë Komisionit për Mbrojtjen e Prokurorëve janë paraqitur 8 kërkesa nga magjistratët të cilët kanë argumentuar se i rrezikohej jeta për shkak të detyrës.
Mes tyre, 1 kërkesë ishte për herë të parë, 7 të tjera për zgjatje të afatit të mbrojtjes, pasi e kishin përfituar atë më herët.
Në 8 rastet e shqyrtuara nga anëtarët e KLP, një prej tyre ka qenë vlerësim me urgjencë, duke konstatuar se rreziku për jetën kishte qenë i çastit dhe prokurori është marr në mbrojtje nga policia.
Të dhënat zyrtare tregojnë se aktualisht me mbrojtje janë 6 prokurorë dhe sipas vlerësimit të KLP, ata janë pranë prokurorive më të mëdha në vend. Elbasani mban numrin më të lartë.
Nga ana tjetër, gjatë vitit 2022, pranë Komisionit të Mbrojtjes së Gjyqtarëve është paraqitur vetëm 1 kërkesë për mbrojtje, e cila është miratuar.
Ministri Taulant Balla paralajmëroi të hënën se autoritetet e sigurisë, po mendojnë të ndryshojnë strategji për mbrojtjen e magjistratëve, duke rritur rolin e SHISH dhe bërë disa ndryshime që të reflektojnë mbrojtjen që ligji u jep.
