Nga Mentor Kikia
Në vitin 1989, në ekranin e vetëm shqiptar, RTSH, shikuesit ndiqnin me vëmendjen më të madhe një show, ishte një konkurs letrar. Një grup studentësh të talentuar kishin mbërthyer publikun në një garë njohurish mbi letërsinë. Atë garë e fitoi një student i Institutit “Luigj Gurakuqi”(sot universitet) në Shkodër. Ai ishte Luan Rama!
35 vite më pas koha ka ndryshuar shumë.
Një mori televizionesh luftojnë në një garë të shfrenuar për audiencë dhe ata që ia kanë dalë “të mbërthejnë shikuesin” para ekranit janë programet e humorit dhe reality show-t. Më herët “Portokalli”, e më pas “Big Brother Albania” apo “Love Island Albania”, formate këto të patentuara ndërkombëtarisht. Me gjithë kritikat dhe anatemimet që i bëjnë komentues të shumtë në rrjet, këto kanë qenë e janë programet më të shikuara.
Kritikët e motivojnë qëndrimin e tyre me faktin se të tilla programe nuk kanë vlera edukative. Unë personalisht nuk i ndjek, por dua-s’dua bie në kotakt me informacione pasi “lajmet” mbi ta janë janë të pranishme në çdo mjet informimi. Edhe unë mendoj se këto programe nuk ka vlerë, por qëllimi i producentëve që i kanë shpikur ato, nuk ka qenë prodhimi i vlerave. Qëllimi ka qenë show, sigurimi i audiencës, e cila përkthehet në reklama, pra në para. Problemi, mendoj unë, nuk është pse prodhohen reality show te tipit “Big Brother”, “Love Island”, apo të tjera formate që, në luftë për audiencë, shkurtojnë gjithnjë e më shumë fustanet e prezantueseve. Problemi është se ne nuk prodhojmë fare programe edukative, pra programe që promovojnë vlera.
Çfarë do të ndodhte nëse sot, në një ekran shqiptar, do të prodhohej show i vitit 1989, me atë konkursin letrar? A do ta kishte ai audiencën e Big Brother-it? Të gjithë do të themi që jo! Por nuk mund të themi se do të neglizhohej fare.
Në luftën për një audiencë që shkon gjithnjë në tkurrje, mediat kanë gjetur shpëtim në tri fusha:
-Lajme me krime: -Emisione politike: -Reality Show që shkon drejt banalitetit.
Programet edukative nuk shesin, nuk kanë audiencë. Dhe media do para, do reklama. Ndaj ajo shet krim, seks dhe lloqe politike.
A është ky faji i televizioneve që i prodhojnë, apo i audiencës që i ndjek? Kjo nuk ka një përgjigje të saktë. Por ajo që është e qartë është se kjo që po ndodh është dëshmi e krizës së thellë të shoqërisë. Gjatë javës, njerëzit informohen mbi çdo njeri të arrestuar, mbi çdo njeri që është vrarë apo ka vdekur, edhe nga asfiksia prej qymyrit apo nga rrëzimi me biçikletë në kanal. Ndjekin çdo natë debate-sherre mes analistëve dhe politikanëve dhe reklama politike. Ndërsa në fundjavë shtrohen familjarisht, edhe me fëmijët pa dyshim, të ndjekin programet e bazuara në eksperimente sociale, pa asnjë vlerë, por mediatikisht dhe ekonomikisht të suksesshëm.
-Nuk shkohet në kinema
-Nuk shkohet në teatër
Fëmijët nuk kanë teatro kukullash, nuk ka filma edukativë për ta, nuk ka programe edukative dhe formuese, nuk ka asgjë prej gjëje. Ata po rriten duke konsumuar publikisht të njëjtën menu informimi dhe argëtimi si prindërit e tyre.
Nëse nuk investojmë në formim dhe edukim, duke përfshirë familjen-shkollën- median-institucionet kulturore, dhe asete të tjera publike, ne do të vazhdojmë të jemi një turmë dhe jo një shoqëri e civilizuar.