Liria është atribut i patjetërsueshhëm që lind me njeriun dhe është pajë e qenësishme shpirtërore e tij, i takon atij dhe nuk ka të drejtë kush t’ia mohojë, t’ia grabisë, t’ia dhunojë. Siç thotë edhe Gandhi: “Unë e dua lirinë për të shprehur plotësisht personalitetin tim.”
Por romani “Mëkatet e zonjës Ema”, nga Mirela Kanini, të fut thellë në mendime rreth lirisë shpirtërore si një devijim nga tradicionalja apo një e drejtë individuale?!
Libri është një trillim aq real sa do ta mbajë lexuesin në tension gjatë gjithë kohës. Ema do t’ju tërheqë nëpër labirintet e shpirtit të saj. Do të përfshiheni tërësisht në luftën e saj me veten për të bërë atë çka duhet dhe është e moralshme apo atë çka i dëshiron zemra.
Por nëpërmjet ngjarjeve lexuesi do të nxjerrë vetë konkluzionet nëse është Ema vërtetë një mëkatare apo jo.
Përmbledhje e shkurtër e romanit:
“Ema është një psikologe e martuar me një biznesmen të pasur dhe të suksesshëm dhe kanë një vajzë të rritur. Ajo është larguar nga Shqipëria pak para rënies së komunizmit dhe jeton në USA.
Pikërisht atëherë kur duket sikur ka arritur gjithçka të kënaqshme në jetë, karrierën, pasurinë, familjen, suksesin ajo ndihet më e paplotësuar se kurrë. Sa më shumë arritje ka, aq më shumë boshllëqe shpirtërore ndjen.
Në kërkim të vetvetes rastësia e takon me atë që do të jetë dashuria e jetës së saj dhe ndryshon çdo gjë. Ema është një grua e bukur, inteligjente tek të 40-tat, djali që njeh është tek të 30-tat. Ata njihen në Shqipëri në një business trip. Jeta e saj merr kthesa të paparashikueshme.”
A duhet të sakrifikojmë statuset sociale dhe vlerat morale me të cilat jemi brumosur apo duhet të thyejmë tabutë dhe barrierat për pak lumturi?