Mashtrues rusë që shtireshin si ish-presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, arritën të kontaktojnë ish-kancelaren gjermane, Angela Merkel, me telefon për të diskutuar zhvillimet në Ukrainë dhe Bjellorusi. Këtë lajm e ka konfirmuar zyra e Merkelit të hënën, megjithëse thanë se ajo ishte në dyshim për telefonatën.
Zyra e Merkelit tha se ish-kancelarja gjermane mori një telefonatë më 12 janar nga dikush që pretendonte se ishte Poroshenko. Biseda u ndihmua nga një përkthyes gjermano-ukrainas nga shërbimi gjuhësor i Ministrisë së Jashtme gjermane.
Në një deklaratë për media, zyra tha se Merkeli e informoi ministrinë më pas për “përshtypjen që ajo pati për telefonuesin gjatë telefonatës”, por nuk dha detaje të tjera.
Vladimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyarov, të njohur si Vovan dhe Lexus, postuan në kanalin e tyre në Telegram disa pjesë që ata pretendojnë se janë fragmente nga telefonata.
Dyshja kanë vënë në siklet edhe më parë disa politikanë evropianë, duke përfshirë presidentin francez, Emmanuel Macron, presidentin polak, Andrzej Duda, dhe kryeministrin e atëhershëm britanik, Boris Johnson, si dhe Elton John dhe Princin Harry, me thirrje të ngjashme.
