Nga Mero Baze / Bashkë me thellimin e krizës politike po vihet re një ankesë në rritje nga shumica në pushtet, se kriza po dëmton negocitat dhe turizmin në vend. Ka disa sinjale se disa rezervime janë anulluar, kryesisht nga turistë lindor, për shkak të imazheve të protestave të dhunshme në Shqipëri, ashtu sikundër ka sinjale se hapja e negociatave, mund të bëhet më e vështirë. Nuk bëj dot debat sa reale është kjo prirje, por e besoj që dikush dhe mund të trembet, kur shikon imazhe të tilla dhe mund të kthej mendje për pushimet në Shqipëri, ashtu si plot eurodeputet mendojnë se Shqipëria erret e gdhihet nën flakët e molotovëve të Berishës.
Por detyra e shumicës në pushtet, dhe sidomos vet politikanëve përgjegjës të saj, përfshi dhe Edi Ramën, nuk është të vërë kujen për këtë gjë, por ta minimizoj si efektin ashtu dhe mitin rreth këtij efekti.
Të bësh kauzë tënden si zyrtar I lart I qeverisë, faktin që kundërshtari po të dëmton turizmin me protesta, do të thotë ti hedhësh benzinë zjarrit, pasi kundërshtari nuk ka dal në rrugë për të të rregulluar imazhin dhe as për të bërë Shqipërinë një vend të begatë. Ka dal egzaktësisht për atë që bën, për ti vënë zjarrin.
Dhe nëse disa bomba Molotov nuk djegin dot derën e blinduar të kryeministrisë, mund të bëjnë dëme sporadike më tej, sic është puna e turizmit apo negociatave.
Detyra e qeverisë nuk është të vërë kujen për këto efekte, edhe pse nuk besoj se janë reale dhe të ndjeshme për industrinë e turizmit. Detyra e qeverisë është ti kundërvihet kësaj prirje qaramane, për efektet negative të protestave në ekonominë shqiptare.
Është anormale që ministra, deputetë dhe vet kryeministri, të sillen si djemë qaramnë në televizione që ky Lulzim Basha po lë shqiptarët pa turizëm dhe pa haje negociatash. Ëndërra e Lulzim Bashës si kryeopozitar është pikërisht kjo. Ai nuk e fsheh që kërkon të dëmtoj Shqipërinë për të gjunjëzuar qeverinë. Ndaj ky gjunjëzimi I qeverisë dhe qarja e saj në kor, për këto që po u bën Lulzim Basha është shërbimi më I mirë që i bëjnë thellimit të krizës dhe vazhdimit të bombave molotov mbi turizmin dhe imazhin e Shqipërisë.
Qeveria duhet të çmitizoj efektin e protestave, pasi realisht ky është më shumë mit, se sa realitet. Ndërsa të shtunën para parlamentit hidheshin Molotov, në restorantin ngjitur tek “Delano”, një grup turistësh zvicerian bënin selfie me molotovët, pa e prishur terezinë, ndërsa të tjerë shetisnin ose pinin në baret e bllokut. E vërteta është se protestat nuk janë popllore, nuk kanë prekur shoqërinë, nuk janë pjesë e shqetësimit të familjeve shqiptare. Ato janë një detyrë shtëpie e disa militantëve ekstrem të opozitës dhe objekt qarje nga disa politikanë të shumicës. Mitizimi I tyre sikur ato po bëjnë namin mbi ekonominë shqiptare, është një gënjeshtër që buron nga dembelizmi I shumicës për të përballuar krizën dhe akoma më keq, nga gomarllëku I tyre për ta trajtuar Lulzim Bashën si një njeri që I dhimbset vendi dhe që po dëgjoi se po dëmtohet turizmi, nuk do hedh më Molotov.
Mirë që turizmit I prishni punë kot pa arsye, po të paktën mos trimëroni kot Lulzim Bashën, se ai vet është më I dhëshpëruar se cdo turist që vjen këtu, pasi ëshët I vetmi turist që nuk I hapin derën askund.