Pas asaj goditjeje të rëndë që morën katalanasit teksa u mundën në “Camp Nou” nga Granada, fitorja me Valencian në “Mestalla” ishte një detyrim për Messin me shokë dhe me shumë vështirësi ia dolën. Ishte pikërisht argjentinasi që udhëhoqi Barcelonën në fitoren 3-2 ku gjithçka ndodhi në pjesën e dytë me 5 gola të shënuar, 2 prej tyre nga sulmuesi katalanas.
Me një pjesë të parë të qetë, e dyta ishte shokuese për Koeman (nuk ishte në stol pasi mori të kuq ndeshjen e kaluar) kur Gabriel Paulista kaloi në avantazh vendasit në minutën e 50’.
Të hedhur menjëherë në sulm, 7 minuta më vonë Barcelona fiton një penallti të cilën e gabon Messi, e dyta që humbet ndaj Valencias këtë sezon, por e korrigjon aty kur aksioni vijon për të barazuar rezultatin. Në minutën e 63’, ishte Griezmann që i dha avantazhin miqve ndërsa në 69’ klasi i Messit doli në hap me një goditje dënimi të ekzekutuar në mënyrë të jashtëzakonshme nga ylli i Barcelonës.
Një gol i Soler në 83’ për Valencian nuk ndryshoi asgjë teksa skuadra katalanase largohet me 3 pikë dhe tani është vetëm 2 pikë larg Atl. Madridit dhe kujtojmë që javën tjetër këto dy skuadra do të përballen në “Camp Nou”.