Kreu i shtetit Ilir Meta është vlerësuar me çmimin ndërkombëtar të Venecias “Luani i Artë” me motivacionin e promovimit të demokracisë dhe pluralizmit politik.
“Në vlerësim të kontributeve të tij për promovimin e demokracisë dhe pluralizmit politik, për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, për promovimin e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare, si edhe për forcimin marrëdhënieve italo-shqiptare”, thuhet në motivacionin e çmimit.
Meta mori këtë çmim në prani të autoriteteve vendore të Venetos. ‘”Çdo gjë mund të ndryshojë në botë, por gjeografia jo, e Italia dhe Shqipëria janë të bashkuara nga historia e nga gjeografia. Ky është një çmim që i shkon edhe së ardhmes së marrëdhënieve tona, të miqësisë të së rinjve tanë, të cilët janë edhe shpresa jonë. Unë kam lindur 50 vite më parë në diktaturën më të errët që Europa ka njohur. Falë demokracisë unë, një student i ri, u bëra deputet, ministër, Kryeministër, Kryetar Kuvendi e President i Republikës, ndaj ky çmim i dedikohet demokracisë, si sistemi i vetëm që mund të ndryshojë të ardhmen për të rinjtë dhe qytetarët e një vendi”, tha Meta.
Ai shtoi se çmimin ia dedikon të gjithë udhëheqësve të moderuar të rajonit, të cilët falë pjekurisë, dialogut, kanë bërë që vendet e Ballkanit, që sillnin vetëm krizë e luftë, sot janë më afër Europës e më afër paqes mes popujve.
