Teksa në Kuvend vijon debate për vendimin e Presidentit, për të cilën do të miratohet dhe një rezolutë e iniciuar nga maxhoranca kreu i shtetit Ilir Meta bën thirrje për reflektim dhe përgjegjësi maksimale nga të gjithë aktorët politike.
“Shqipëria ka nevojë për reflektim dhe përgjegjësi maksimale nga të gjithë aktorët politikë! Të mos humbasim këtë moment historik për të hedhur një hap përpara drejt Europës. Të bëjmë çdo përpjekje për mos-shkëputjen nga përparimi i fqinjit tonë Maqedonisë së Veriut. Çelja sa më parë e negociatave të anëtarësimit detyrim historik për të gjithë ata që duan Shqipërinë si Europa”, shkruan Meta në një status në Facebook.
Kjo deklarata e tij vjen vetëm pak orë para konferencës së paralajmëruar për shtyp, në orën 17.00. Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kuvend i kërkoi kreut të shtetit të reflektojë mbi këtë rezolutë që do të miratohet, teksa nuk përmendi asnjëherë fjalën “shkarkim” për Ilir Metën, por vetëm se “nuk e meriton të rrijë në atë detyrë”.