Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim me strukturat e Partisë së Lirisë në Elbasan. Ish-presidenti deklaroi se zgjidhja e vetme për të dalë nga “mjerimi që ndodhet vendi” është referendumi.
Afrimin e shtatorit, Meta e ka konsideruar si një pranverë për demokracinë dhe përmbysje të këtij regjimi.
“Afera e Portit të Durrësit tregon se shteti ka rënë. Dhe shumë afera të tjera. Zgjidhja nuk është llogaridhënia dhe as pendesa. Zgjidhja është eliminimi i pluralizmit politik, i opozitës dhe mediave të lira dhe të pavarura. Në mënyrë që të përjetësohet ky sistem anti kombëtar. Ndaj unë besoj shumë se të gjithë ne së bashku do i japim përgjigjen e duhur kësaj sfide. Partia e Lirisë që përfaqëson një vendim historik të gjithëve ne, është e vendosur për misionin e qartë të opozitës dhe për të triumfuar mbi rrënojat e një qeverie që ka rënë. Që kërkon ngritjen e të gjithë opozitës në aleancë. Zgjidhja është referendum. Jo thjesht ndërrimi i qeverisë. Por ndërrimi njëherë e përgjithmonë i sistemit. Referendumi është zgjidhja. Populli është investitori më strategjik. Kush mendon se mund të sillet si pushtues i ka bërë llogaritë shumë keq. Ora e drejtësisë ka ardhur. Shtatori do të jetë një pranverë e vërtetë e demokracisë dhe përmbysjes së këtij regjimi hajdutokrat që të vetmen rrugë shikon shkatërrimin e popullit shqiptar”, tha Meta.