Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në konferencën për shtyp, tha se synimi i qeverisë “Rama 3” është që të largojë shqiptarët nga vendi dhe të sjellë shtetas të huaj.
Reagimi vjen pas vendimit të Këshillit të Ministrave që tregon se qeveria vendosi zbatimin e procedurave të koncesionit/partneritet publik privat në sektorin e programeve të shtetësisë.
“Nëse do të merremi me të gjitha skandalet që prodhon çdo ditë kjo qeveri, merremi. Por është edhe dëshira e kësaj qeverie që të zhvendosim vëmendjen nga prioritetet më të mëdha të vendit tonë. Kjo është një aventurë, siç është aventurë e shpallur që të lëmë të ikin shqiptarët se na vijnë punëtorë nga Bangladeshi e me ata do të anëtarësohemi në BE. Dhe kjo është në vazhdën e kësaj logjike. Të ikin shqiptarët dhe të sjellim të pasur. Qëllimi është t’i kthejmë ose në shërbëtorë ose ata që kanë mbetur këtu në emigrantë. Këto janë skenarë që nuk do të funksionojnë këtu. Edhe atje e kanë mendjen tek kullat dhe metrat katrorë se kështu nisi kjo punë”.
