Kreu i shtetit Ilir Meta vijon vizitën zyrtare në Malin e zi, ku është takuar me homologun malazez, Milo Gjukanoviç. Ai ka folur dhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke e cilësuar këtë vit, si vit i pritshmërive të këtij dialogu.
“Dhe me këtë rast dua të theksoj rëndësinë që ky dialog me rezultatet e tij finale të forcojë dhe konsolidojë bashkëjetesën, jo vetëm midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë dhe në Serbi, por bashkëjetesën në të gjithë rajonin tonë e sidomos të forcojë proceset integruese në të gjithë Ballkanin Perëndimor si e vetmja rrugë që ky rajon të ecë më me shpejtësi në rrugën e prosperitetit për të gjithë qytetarët tanë”, tha Meta në konferencën për shtyp me Gjukanoviç.
Ai foli dhe për bashkëpunimin mes dy vendeve: “Autostrada Adriatiko-Joniane, po kështu projekti mjaft i rëndësishëm për lidhjen edhe të Malit të Zi përmes gazsjellësit që është duke përfunduar, pra të TAP-it, janë dy projekte madhore të cila së bashku me ruajtjen, menaxhimin dhe zhvillimin e integruar dhe të qëndrueshëm të Liqenit të Shkodrës dhe zonave rreth tij, të ujërave të tjera të përbashkëta, të Pikave të Kalimit Kufitar, ndërtimi i korridoreve rrugore, që i lidhin ato dhe shumë projekte të tjera ndërkufitare, si në kuadër të bashkëpunimit rajonal, ashtu edhe në kuadër të integrimit europian, do të sjellin një mundësi të shkëlqyer për t’u dhënë zgjidhje pengesave, që ende hasin qytetarët në të dy anët e kufirit, si në jetën e tyre të përditshme, ashtu edhe në planin e shkëmbimeve të natyrshme njerëzore, kulturore, tregtare, ekonomike apo për të zgjidhur edhe problemet mjedisore, që janë aq të rëndësishme për dy vendet tona që kanë një potencial të fuqishëm për zhvillimin e qëndrueshëm e sidomos për zhvillimin e turizmit”, u shpreh Meta gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Gjukanoviç.
Meta bëri të ditur se së shpejti në Tiranë organizohet Samiti i Brdo-Brijunit, ku u shpreh se “kontributi i Malit të Zi jam i sigurt, si gjithmonë, do të jetë i veçantë dhe shembullor dhe me këtë rast dua të shpreh edhe vlerësimet më të larta për mbështetjen që Mali i Zi i ka dhënë që në fillim pavarësisë së Kosovës dhe integrimit të saj në të gjitha organizatat rajonale e më gjerë si një kontribut për forcimin e stabilitetit në rajonin tonë dhe përshpejtimin e të gjithë proceseve integruese në Ballkan”.