Ish-kryeministri Sali Berisha pavarësisht se u shpall ‘non-grata’ nga SHBA shprehet i bindur se do të vazhdojë të jetë i pranishëm në jetën politike shqiptare. Në një prononcim për mediat, Berisha tha se opozita do të bëjë gjithçka për të larguar nga pushteti Edi Ramën.
“Detyra e çdo demokrati sot nga ky Kuvend është një betim solemn, për të mos e lënë gurë pa kthyer, përpjekje pa bërë për të përmbysur narkoshtetin e vetëm në Europë.
Ky narkoshtet duhet ta ketë orën e numëruar, opozita ka një armatë prej 730 mijë shqiptarësh, të cilëve kreu i Meduzës nuk ia grabiti dot votën, ndaj edhe duhet ti shihni gjëra në kompleksin e tyre.
Çdo demokrat, çdo opozitar do ta thotë fjalën e tij fuqishëm, dhe ai duhet dhe do ti ketë kohët e numëruara.
Ajo çka them unë është kjo, jo dëshpërim, sepse jemi një armatë e fuqishme, që mjafton të vendosim të përballemi me regjimin më të ashpër që ka njohur Ballkani pas Enver Hoxhës”, u shpreh Berisha.
