Mijëra shqiptarë do të gëzohen, nëse ndodh. E kemi fjalën për një transferim te Milani, që do të ishte skenari ideal për shumë tifozë jo thjesht të Milanit, por edhe ata që vërtet duan më të mirën për futbollistët shqiptarë.
Sipas mediave italiane, raportuar edhe në Gjermani më pas, Milani po mendon blerjen e Milot Rashicës. Mesfushori ofensiv luan me Werder Bremenin dhe këtë sezon ka shënuar 6 gola në 8 ndeshje.
Vlera e tij nuk i kalon 25 mln eurot, por me kalimin e muajve nuk parashikohet asgjë. Ai po rritet dita-ditës dhe Milani kërkon ta blejë sa më lirë. Suso nuk bind më në “San Siro” dhe drejtuesit kuqezi po mendojnë largimin përfundimtar të spanjollit. Pse jo, kur pasues i tij mund të jetë Rashica.