Ministrat e rinj do të kalojnë këtë të hënë hallkën e radhës, për të marrë më pas zyrtarisht drejtimin e dikasterëve që u janë besuar. Kuvendi do të mblidhet në një seancë të posaçme për të votuar ministrat e rinj, tashmë të dekretuar nga Presidenti Bajram Begaj.
Pas votëbesimit në Kuvend dhe betimit në Presidencë, disa ministra të rinj do nisin punën me detyra emergjente. Edi Rama zgjodhi emra të rinj në krye të ministrisë së Punëve të Jashtme, Ekonomisë, Shëndetësisë, Bujqësisë dhe duke rikthyer një tjetër kabinet pa portofol, atë të Pushtetit Vendor.
Kryeministri Rama ka vendosur të riformatojë dhe partinë duke ndryshuar të gjithë sekretariatin. Emrat e rinj të kësaj strukture votën përfundimtare do ta marrin në fund të tetorit, kur pritet të zhvillohet Kongresi i Partisë Socialiste.
Pas miratimit në Kuvend, ministrat e rinj do të betohen tek Presidenti i Republikës.
Emrat e ministrave që ikin dhe të atyre që vijnë:
Ministër i Financave dhe Ekonomisë – Emërohet Ervin Mete; Largohet Delina Ibrahimaj
Ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit – Emërohet Delina Ibrahimaj; Largohet Edona Bilali
Ministre e Shëndetit dhe Mirëqenies Sociale – Emërohet Albana Koçiu; Largohet Ogerta Manastirliu
Ministër i Arsimit dhe Sporti – Emërohet Ogerta Manastirliu; Largohet Evis Kushi
Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme – Emërohet Igli Hasani; Largohet Olta Xhaçka
Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit – Emërohet Anila Denaj; Largohet Frida Krifca
Ministër i Pushtetit Vendor (Ministri e re): Emërohet Arbjan Mazniku
Ministria e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet (Shkrihet) – Largohet Milva Ekonomi.
