Ministri i Mbrojtjes së Qytetarit të Greqisë, Yannis Oikonomou, ka mbërritur këtë të premte në burgun e Durrësit për të vizituar Fredi Belerin. Oikonomou erdhi në Tiranë për Ministerialin e Ministrave të Brendshëm, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Arrestimi i Fredi Belerit me akuzën e korrupsionit në zgjedhje dhe mbajtja e tij në paraburgim ka sjellë përplasje diplomatike në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës.
Fituesi i zgjedhjeve për Bashkinë Himarë, ka bërë dy kërkesa për leje të veçantë që t’i mundësohet betimi si kryebashkiak, por burgjet e kanë refuzuar. Ndërsa në Gjykatën e Lartë, Beleri ka bërë 2 rekurse për të shpallur të paligjshëm arrestimin dhe përgjimet e prokurorisë.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, vendosi dje që të kalonte për gjykim çështjen e Fredi Belerit, i arrestuar me akuzën e Korrupsionit aktiv në zgjedhje. Prokurorët e çështjes deklaruan se provat dhe faktet në dispozicion, përfshirë audiopërgjime, mbështesin akuzën e ngritur prej tyre. Edmond Dema, avokati mbrojtës i zotit Beleri, kërkoi pushimin e çështjes, me pretendimin se provat janë të paligjshme. Por gjykata mësohet se e ka konsideruar të plotë hetimin e Prokurorisë, duke i hapur rrugë nisjes së procesit gjyqësor.
Avokati Dema, tha pas seancës se është e pakuptimtë që Beleri të vijojë të mbahet në arrest me burg, aq më tepër tani që hetimet janë mbyllur. Ai deklaroi se nuk është kërkuar gjykim i shkurtuar. “Do të jetë një proces i gjatë, pasi ne do të tthërrasim shumë dëshmitarë”, deklaroi ai.
