Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, zhvilloi një takim me pilotët e Forcës Ajrore në Bazën Ajrore të Farkës, në një kohë kur efektivët e Forcave të Armatosura vijojnë të jenë të angazhuar intensivisht në përballimin e situatave të krijuara nga zjarret gjatë sezonit veror.
Në takim ishin të pranishëm edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Gjenerallejtënant Arben Kingji, Komandanti i Forcave Ajrore, Gjeneral Brigade Edmond Voci, pilotë të Forcës Ajrore, si dhe oficerë të menaxhimit të dronëve.
Ministri Nufi e vlerësoi takimin si një mundësi për të përcjellë drejtpërdrejt mirënjohjen dhe falënderimin për pilotët, të cilët me profesionalizëm, përkushtim dhe sakrificë janë angazhuar në mbështetje të komuniteteve të prekura nga zjarret gjatë sezonit veror.
Gjatë takimit, ministri vlerësoi angazhimin e tyre në misionet ajrore, duke theksuar rëndësinë e rolit që Forca Ajrore ka në përballimin e emergjencave dhe në mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.
Mesazhi i ministrit për pilotët ishte i drejtpërdrejtë: mirënjohje për çdo orë fluturimi, çdo mision dhe gatishmërinë për të qenë në terren edhe në kushtet më të vështira.
“Faleminderit për sakrificën, për guximin dhe për përkushtimin tuaj. Në çdo mision, ju tregoni se çfarë do të thotë të jesh në shërbim të vendit dhe qytetarëve”, iu drejtua pilotëve Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.
Pilotët e Forcës Ajrore vijojnë të jenë një hallkë e rëndësishme e kapaciteteve të Forcave të Armatosura në përballimin e emergjencave civile, duke dëshmuar profesionalizëm dhe përkushtim në çdo mision.
