Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu flet për vendimin e qeverisë për kthimin e rezervistëve në forcë aktive, ku ai e cilëson të domosdoshëm në kuadër të rienergjizimit të ushtrisë shqiptare, por edhe të mirëpritur nga ushtarakët e tërhequr.
”Vitin e fundit kemi pasur kërkesa të shumta që këta rezervistë të kthehen në Forcat Armatosura, janë profesionistë në fusha të ndryshme, në armatim, logjistikë, mbrojtje kibernetike. Kemi që nga muaji janar ku filluam të punonim aktin, kemi marrë 220 kërkesa për kthimin në forcat aktive. Zakonisht çdo vit ne bëjmë tre sesione rekrutimesh. Në 2 sesionet që kemi bërë në 2025 kemi 270 rekrutë të rinj, rritje me 70% në krahasim me vitin e kaluar. Kemi një rënie drastike të largimit nga Forcat e Armatosura. Në krahasim me vitin e kaluar kemi -64% ulje të të larguarve”,-tha në ”Report Tv”.
Ministri i Mbrojtjes tha se në javët në vijim do të bëhen publike diskutimet aktuale me SHBA-të në kuadër të një partneriteti strategjik të thelluar, në disa fusha e veçanërisht në kibernetikë. ”Kemi një seri programesh të bazuar në bashkëpunim dypalësh, me SHBA, partneritet strategjik i thelluar, një bashkëpunim i shkëlqyer në rrafshin kibernetik me SHBA, javët në vijim do jenë disa elementë publik në këtë aspekt. Elementi i dytë ka të bëjë me raketat Javelin, nga pala amerikane, një investim dyfish ky”.
Vengu jep lajmin se ushtria shqiptare së shpejti do të pasurohet dhe me 2 avionë, të cilët do jenë edhe për përdorim ushtarak. ”Ne jemi duke finalizuar procesin për blerjen e 2 avionëve, avionë për përdorim të dyfishtë, civil-ushtarak, përdorim parësor për shuarjen e zjarreve”. Për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në 5% të buxhetit, kërkesë kjo e Administratës Trump, Vengu tha se Shqipëria po punon për arritjen e këtij objektivi në një periudhë 10-vjeçare.