Këtë të premte, anëtarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore kanë miratuar online kalendarin e punimeve. Mbledhja u zhvendos online pasi deputetët e Bardhit dhe Berishës bllokuan sallën ku ishte parashikuar të zhvillohej mbledhja. Bashkëkryetari i Komisionit për Zgjedhoren, Damian Gjiknuri tha se mbledhja po zhvillohet online në kushtet kur deputetët e opozitës po kryejnë sjellje vandale. Ai tha se në kushte kur deputetët e Rithemelimit dhe Bardhit bëjnë sjellje të tilla, komisioni është i detyruar të kalojë mbledhjet online.
“Do ishte e pavend t’i vihet faji administratës së Kuvendit ku deputetët hyjnë në sallat ku u takon të jenë dhe vendosin të bëjnë sjellje vandale. Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit kanë parashikuar masa për këta deputetë por nuk parashikohen masa të tjerë kur bëhet çdo veprim për të penguar mbledhjen. Varianti online nuk është i preferuari ynë, por në kushte kur jemi të detyruar po e zhvillojmë kështu”,-tha Gjiknuri.
Bashkëkryetari tjetër, Enkelejd Alibeaj nga PD-ja e Bashës i bëri thirrje Kryetares së Kuvendit që të mundësojë zhvillimin e komisionit fizikisht. Alibeaj sqaroi pse po merr pjesë online, duke theksuar se prevalon interesi për të çuar përpara reformën zgjedhore. Ai shtoi se përfaqësojnë vetëm idetë dhe sugjerimet e PD, të asnjë grupi tjetër.
“Thirrja ime i adresohet Nikollës, që të garantojë zhvillimin normal, efektiv të veprimtarisë së komisionit dhe jo vetëm. Nga ana ime do jetë kërkesë sistematike dhe insistuese që Nikolla të garantojë zhvillimin efektiv, fizik të veprimtarisë së komisionit. Jemi në këto kushte, dua të them diçka lidhur me pjesëmarrjen tonë. I qëndrojmë gjithmonë qëndrimit sipas rregullores që mbledhjet e komisioneve, do duhet të zhvillohen fizikisht. Ai është parlamenti jo i një grupi, disa deputetëve, jo i PS, por e të gjithë deputetëve që kanë të drejtë të shprehin mendimit, mbi të gjitha është parlamenti i shqiptarëve. Midis kësaj konsiderate dhe tjetrës që unë bie dakord, se ka një interes për ecjen para të Komisionit, prevalon ky i dyti. Prandaj bashkë me kolegët përfaqësues të PD marrim pjesë edhe në zhvillimin e kësaj mbledhje të radhës, të komisionit. Prandaj sot jemi prezent, unë Çollaku, Tase dhe Jakupllari”, tha Alibeaj.
