Kryeministri Edi Rama është takuar me ekipin e kandidatëve në qarkun e Fierit, ku ka bërë sërish apel për respektim të masave, duke paralajmëruar dhe masa të rrepta për COVID, pas takimeve masive të kreut të PD-së, Lulzim Basha.
“Nga ana tjetër të mos ushqehemi me iluzionin se duke mbledhur ato tufa me dy gishta marrin ndonjë votë më shumë. Është komplet absurde dhe realisht dëm i madh. Paralelisht me vaksinimin, rregullat duhet të respektohen dhe çdokush duhet të shtrëngojë veten në raport me ato masa. Ne nuk kemi preferuar që të ndëshkojmë ekonominë por nga ana tjetër kjo nuk duhet të thotë që njerëzit të lëshohen përtej nevojave të punës, të jetës së përditshme në situata që bëjnë të kundërtën e vaksinës.
Duhet realisht që të marrim një vendim të qartë të gjithë bashkë. Nëse është nevoja për të zgjeruar më shumë se sa një numër i kufizuar, këtë nevojë do ta adresojmë së bashku. Nuk më takon mua dhe nuk na takon ne ta bëjmë këtë gjë. Ne nuk e kemi problem, mund të shkojmë deri më 25 prill me 10 veta në çdo event. Nëse është e nevojshme do i drejtohemi autoriteteve. I ftoj shqiptarët të mos jenë tolerantë në opinionin e tyre në raport me këto shfaqje që të kujtojnë ato mitingjet pa shije të viteve ‘90. Hip mbi makina, mblidh njerëz me makina. Grumbullohu me flamuj, vër ulërimën, krijo kot ndotje akustike në mes të qytetit, madje në mes të një feste dhe pastaj bëj dhe viktimën sikur u sulmove, ndërkohë që qëndron aty si provokator i njerëzve pa dallim dhe me montazhe skuthash krijon idera të gabuar mbi atë që ka ndodhur dhe që nuk kishte lidhje as me mua as me ne që ishim aty por ishte rezultati i plotë i mungesës së përgjegjshmërisë”, deklaroi Rama.
