Erges Eskiu-Pedagog i jashtëm në Universitetin e Mjeksisë Tiranë
Pa dashur të kalojë në deklarata të cilat mund të duken patetike, po them se i jam bashkuar protestës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dy vjet më parë për arsye shumë të thjeshta, por të rëndësishme.
Si fillim më duhet të them se Teatri është si mjeku psikoanalist. Ai bën një terapi grupi të jashtëzakonshme, me ndryshimin e vetëm se ti shkon pa asnjë merak se mund të jesh i sëmurë.
Ti hyn në Teatër për të parë një shfaqje dhe humbet në botë tjetër.
Gjithë qenia jote përfshihet aty dhe t’i fillon zhvillon imagjinatën tënde mbi lëvizjet dhe fjalët e aktorëve që kë përballë. Bota jashtë nuk ekziston. Je ti në Teatër që zhvendosesh në kohë e në hapësirë bashkë me aktorin dhe hyn nën lëkurën e personazhit.
Pasi kësaj terapie dhe emocioni ti del nga teatri dhe ndihesh, i çliruar, energjik, ndihesh më i kulturuar, ndihesh më i emancipuar, ndihesh më i mençur, ndihesh më i bukur, ndihesh i lumtur dhe nga njerëzit e lumtur vijnë veç të mira, ndaj na duhet kultura!
Arsyeja pse unë protestova dhe qendroj ende në protestë për Teatrin është për faktin se ne rrezikojmë të mbetemi dhjetë vjet pa teatër dhe dhjetë vjet është një brez, i cili alternativë do ketë rrugën, drogën, dhunën.
Rrezikojmë të bëhemi një shoqeri e dhunshme sepse në një vend ku për një javë nuk ka asnjë shfaqje kulturore patjetër, që do ketë një krim do të thoshte shkrimtari Kim Mehmeti.
Së dyti kompleksi i Teatrit Kombëtar ka vlera historike dhe kulturore ndaj është mendësi kriminale të mendosh ta prishësh atë dhe krim i rëndë kombëtar ta prishësh vërtetë!
Së treti për një arsye shumë të thjeshtë. Unë dhe miqte e mi ishim patjetër për Teatër të Ri, për shumë teatro. A ka mundësi të kemi nga një teatër për çdo njësi administrative?! Mrekulli do ishte! Por ne absolutisht nuk ishim për të humbur atë që kishim. Kjo nuk bën sens dhe më shumë se mungesë vizioni apo varfëri mendimi, tregon mendësi kriminale.
Së katërti teatri është pronë publike, është prona jonë ndaj unë e ndieja si detyrim qytetar ta mbroja atë. Unë dola fillimisht edhe për t’u dhënë mbështetje iniciatorëve të protestës, por edhe për të dhënë shembullin se ne nuk duhet të presim derisa rreziku të trokasë në pragun tonë për të reaguar, por duhet të solidarizohemi me njeri-tjetrin kundër të keqes, që kur rreziku është “në majë të malit”, pasi nëse heshtim sot, nuk do ketë kush të na ndihmojë neve vetë nesër?!
Unë dal për të mbrojtur ligjin, për të mbrojtur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë!
Dola për të mos lejuar shkatërrimin total të qytetit ku jetoj, të kryeqytetit të Republikës së Shqipërisë.
Dola për treguar se qytetaria mund të fitojë kundër barbarisë e barbarëve, me forcën e mendjes, pa ngritur hurin e armët.
Dola për të mbrojtur demokracinë sepse besoj tek ajo!
Dola për të fituar dhe edhe pse me kosto të mëdha, unë fitova! Ne fituam!
Fituam qytetarinë, respektin për veten dhe qytetarinë shqiptare.
Me qëndresën tonë sensibilizuam opioninin publik shqiptar për kauzën tonë, për të drejtën tonë, për arsyet pse duhej mbrojtur teatri, pse duhej mbrojtur prona e përbashkët, kultura, historia, vlerat shpirtërore dhe Kushtetuta jonë./ Tirananews.al