Janë liruar nga qelia dy mjekët, Viktor Marku dhe Besim Lama nga Gjykata e Apelit e Tiranës.
Ata akuzohen se mjekuan Eduart Lamaj, autorin kryesor të vrasjes së dy biznesmenëve në Laç, ngjarje e ndodhur më 30 maj të këtij viti.
Trupa gjykuese e Apelit të Tiranës e kryesuar nga Z. Ridvan Hado, ditën e sotme, ka pranuar ankimet e bëra nga Av. Arber Hoxha dhe Av. Dritan Metani, duke u dhënë lirinë mjekeve Viktor Marku dhe Besim Lama, të cilët mjekuan Eduart Lamaj.
Masa e sigurimit “arrest në burg” u ndryshua në “detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore”.
Top Channel bën të ditur se pavarësisht ndryshimit të masës, mjekët përmes avokatëve të tyre, do të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë, ku do të kërkojnë revokim e masës së sigurimit, e cila do ti hapte rrugën pushimit të çështjes në ngarkim të tyre me pretendimin që fakti nuk përbën vepër penale.
Ngjarja e rëndë ndodhin, më 30 maj në qytetin e Laçit, ku të vrarë mbetën dy biznesmenët, Bujar Lika dhe Paulin Gjergji.
