“Sikur të rri në shtëpi sot” apo “më dhemb barku” mund t’i dëgjoni shpesh nga fëmijët dhe pas tyre nuk është vetëm mungesa e dëshirës, por edhe një emocion.
Sipas pediatres Lira Gjika, fjali të tilla fëmijët i thonë në rastet kur ndiejnë frikë, diçka që kujton ta ketë bërë edhe vetë. Të njëjtën situatë e ka përjetuar edhe moderatorja Katerina Trungu.
“Frika. Këtë gjë e kam përjetuar edhe unë. Gjithë klasa e tretë ka qenë një ferr i vërtetë, sepse kam qenë në një shkollë tjetër për vetëm atë vit. Ka qenë një mësuese shumë e rreptë, e cila i dhunonte fëmijët, i dhunonte jo u bërtiste. Unë çdo ditë kisha dhimbje barku, qaja çdo ditë para se të shkoja në shkollë”,-kujton Katerina. Duket se kjo gjendje përsëritet edhe sot nga fëmijët që duket se gjejnë arsye për të mos shkuar në shkollë.
