Në sfidën mes Pogradecit dhe Shkumbinit, e vlefshme për javën e 28-të të Kategorisë së Parë janë përjetuar momente dramatike. Gjatë zhvillimit të pjesës së parë të ndeshjes, portieri pogradecar Herdis Alliu ka shtangur të gjithë teksa ka rënë pa ndjenja në fushën e blertë pas një ndërhyrjeje nga njëri prej lojtarëve të Peqinit.
Njëri prej lojtarëve miq ka ngritur aq fort këmbën sa ka goditur në kokë portierin liqenor Alliu, duke bërë që ky i fundit të humbë ndjenjat.
Fatmirësisht ka reaguar menjëherë stafi mjekësor i Pogradecit të cilët kanë arritur brenda pak minutash të normalizojnë situatën. Pas stabilizimit të gjendjes së portierit, gjithë tifozeria dhe lojtarët e stafet e të dyja ekipeve kanë duartrokitur përmirësimin e gardianit të portës së pogradecarëve.
Nga sa u bë me dije nga stafi mjekësor që i dha ndihmën e parë portierit, goditja që ai mori i kishte bllokuar frymëmarjen si pasojë e gjuhës së futur brenda. Por, falë ndërhyrjes profesionale dhe në kohë të fizioterapistes së ekipit Alma Angjo dhe asistentëve të saj, ata kanë arritur të stabilizojnë gjendjen shëndetësore të Alliut. Ndërkohë, aktualisht mësohet se mjekja e skuadrës Alma Çekiçi së bashku me lojtarin ndodhen në spitalin e Pogradecit për trajtim më të specializuar.
Pavarësisht se u përjetuan momente ankthi dhe aspak të këndshme, e rëndësishme është që gjithçka tashmë kaloi. Portieri është në gjëndje të mirë shëndetësore dhe ndeshja mes Pogradecit dhe Shkumbinit po vijon normalisht.
