Mustafa Nano, gazetari kontraversal që në debatin publik merret me çështje që hapin provikime, nuk ka ngurruar ditën e djeshme të dalë në sallën e Teatrit eksperimental “Kujtim Spahivogli” me një shfaqje “One Man Show”, dedikuar tërësisht seksit, dhe tabusë për të folur rreth tij.
Ka provokuar edhe këtë herë me monologun e tij të gjatë Nano, jo veç me personazhet e marra nga aktualiteti shqiptar, por duke vënë në krye të rrëfimit, veten.
Një provokim që fillonte me Muçin se kur ka bërë seks për herë të parë, e që përfundoi me Dodën nga malësia, që shkollimi dhe intelekti perëndimor, nuk ia nxirrte dot nga brenda vetes shqiptarin malësor dogmatik, hakmarrës dhe gjakmarrës, duke provuar emocionin e herës së parë, që ishte thjesht instikti i vrasjes.
E pra, personazhet e Mustafa Nanos, vendosur ironikisht në një rrëfim mbi dilemat e shoqërisë shqiptare, treguan më së miri se Nano jo vetëm di të ndërtojë skenarin bukur, por edhe ta rrëfejë atë në një mënyrë sa të kuptueshme, aq edhe të përceptueshme për publikun.
Edhe ky shoë, si çdo provokim tjetër i Nanos, për shqiptarinë e Shaqirit e Xhakës, apo nënën serbe të Skënderbeut, do të ngjallë debat.
Inferioriteti i Provincialit, mënyra sesi shqiptarët duan të shmangin origjinën prej nga vijnë, ishte deklarata që shkaktoi hilaritet në sallën e tejmbushur. Nano mori si shembull ish-kryeministrin Berisha, që siç kishte rrëfyer në një intervistë, për të shmangur fshatin prej nga vinte (kur Muçi tha se rrallë gjen ndonjë vizitë të Berishës në fshatin e tij të Lindjes), tregonte se ishte rritur në një vend me kuaj, me lumenj, dhe ku dëgjonte në fëmijërinë e tij këngën “Padam Padam” të Edith Piaf. “A mund ta imagjinoni këtë” tha Nano mes të qeshurave që mbërthyen sallën.
“Nuk e kuptoj edhe konceptin, ligjeroi Nano përpara sallës, – që një burri që shkon me shumë gra, na pëlqen ti themi GARIP, ndërsa një gruaje që shkon me shumë burra, i themi KURVE”. E pas të qeshurave, Nano vijoi në ligjërimin e tij duke thënë se do t’i pëlqente shumë të shihte ndonjë grua që dëshironte burrat, të hipte te Kulla e Sahatit afër MINARES së xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë dhe me një megafon në dorë të thoshte sesa shumë i pëlqejnë burrat, por shtoi ai, duhet të kenë kujdes që të mos jetë ditë e premte dhe koha e faljes së NAMAZIT, duke provokuar më shumë komunitetin mysliman.
Nano, nuk e bëri më kot këtë provokim. Si jo rrallë herë ndodh me ligjërimin e tij publik, kjo kërkesë artistike e tij do të shkaktojë reagimin e komunitetit mysliman, që padyshim, nuk i sheh këto çështje si pjesë të artit, por si pjesë të fyerjes.
Por nuk ishin vetëm këto. Nano tregoi se kur provoi seks për herë të parë dhe deklaroi se “unë jam gay”. “Për herë të parë e provova me Mariglenin në Skrapar”, një deklaratë e thënë thjesht për shoë, ndërkohë që më vonë tha se enigma, kënaqësia, apo edhe kurioziteti i herës së parë, është gjëja që në fakt formon edhe personalitetin e njeriut, aty ku trupi të dridhet “sikur të ketë zënë epilepsia” vijoi gazetari. Për hërë të parë Nano, për herë të parë Berisha, për herë të parë të provohej të miratohej një ligj për “penisin” e meshkujve, për herë të parë shkrepi armë dhe Doda i shkolluar me pikëpamje perëndimore, por që fshehu malësorin.
E ndërkaq u ndal tek orgazmat e burrave. “Ngordhalaq në shtrat” citoi Muçi për ta. “Gratë, mund të kenë 4-5-6 orgazma, Brenda të njëjtës dalldi. Ne burrat nuk jemi ato bishat seksuale që dukemi. Apo që duam të dukemi. Ne jemi ngordhalaq. Nuk ka gjë më ngordhalaqe në faqe të dheut sesa burrat në shtrat. Ne me të arritur njëherë, ne fikemi, mbarojmë, dhe nuk dihet se kur do arrijmë një herë të dytë. Do na duhet një copë herë për tu rindezur. Dhe nuk dihet se kur do na ndodhë kjo gjë. Në rastin tim është baraz me 6 muaj…Shoqja ime kur lexoi tekstin fillimisht më tha: do flasësh për seksin? Po, I thashë. E lexoi të gjithë. Ok, më tha, ça të them unë, bëje mo bëjë, po deshe bëj edhe seks në skenë, po të lutem këtë frazën e fundit, hiqe, se ti e thua për gallatë, njerëzit e marrin për të vërtetë. Jo i thashë unë, është e kundërta. Unë do e them për gallatë, njerëzit do e marrin për të vertetë” tha Nano.
E më pas ndaloi tek hera e tij e parë. Ligjëroi Nano:
“Pasi e bëra për herë të parë, kur po dilja prej shtëpisë së asaj gruaje 45 vjeçare, pata ndjesinë se kisha çuar dëm virgjërinë time, herën time të parë. Për mua nuk do kishte më një herë të parë. Dhe unë që kisha nevojë ende për një herë të parë. Kisha nevojë për një herë të parë pas asaj here të parë. Mirëpo pas herës së parë nuk ka më një herë të parë. Unë tanimë s’mund ta kisha më një herë të parë. Kjo ishte një faturë e rëndë për t’u paguar. Nuk isha i përgatitur ta paguaja kaq rëndë. Më vinte për të qarë. E kisha poetizuar e sublimuar gjithë kohën herën e parë. Nën ndikimin e leximeve, kisha fantazuar një fabul shakespeare-iane, një dashuri me shikim të parë, një zjarrmi të momentit që do të më përfshinte të tërin, një histori të bukur për t’u treguar, me një vajzë, të cilën do ta doja shumë, aq shumë sa do t’i thoja gjithë kohën në stilin e Henry Miller-it: unë të dua ty në çdo sekondë, madje edhe midis një sekonde e një tjetre unë prapë të dua. Dhe mbi të gjitha me një vajzë të virgjër. Të virgjër në kuptimin e plotë të fjalës. Dhe kjo nuk ishte e pamundur. Kishte shumë virgjëresha të bukura në qytet. Skrapari ishte si parajsa e myslimanëve, me ujëra, me pemë, me hije, dhe me… virgjëresha. Kishte më shumë virgjëresha sesa ujë e hije. Dhe ato ishin gjoksmëdha, tamam si në xhehnet. Çupat e Skraparit janë gjoksmëdha”.
“One Man Shoë” e Muç Nanos për SEKSIN, vihej në skenë për herë të pestë. Një shoë, që do të lëvizë në shumë rrethe të vendit. Madje, shpërthimin mund ta ketë për Shën Valentin sikurse vetë gazetari pretendon.
Salla ishte mbushur plot. Robert Ndrenika, ishte në sallë dhe vlerësoi performancën e Nanos; regjizori Pëllumb Kulla po ashtu. Dy figura të dashura të artit Ermal Mamaqi dhe Gaz Paja ishin mes të zgjedhurve në sallë. Dhe në fund të shfaqjes, nuk munguan duartrokitjet për rrëfimin ndryshe të gazetarit që provokoi sërish. NEWSBOMB.AL