Ish-kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj ndonëse mungoi sot në Kuvendin Kombëtar, përshëndeti demokratët përmes një videomesazhi. Në fjalën e tij Alibeaj theksoi se ky Kuvend ka si qëllim të përmbyllë periudhën e trazuar politike.
FJALA E ALIBEAJT
Të nderuar delegatë, miq të mi demokratë, Ky Kuvend i PD, i ka të gjitha gjasat, që jo vetëm të bëjë një analizë reflektive për atë çka është thirrur, por edhe, ashtu siç edhe solemniteti i një eventi të tillë e kërkon, të shndërrohet në një impuls themelor të mendimit dhe qëndrimit politik të PD, deri në Kuvendin e radhës apo deri në sfidën elektorale të radhës. Ky i sotmi, ka për detyrë, të përmbyllë periudhën e trazuar politike, jo thjesht të asaj që ka ndodhur në PD, por në gjithë politikën shqiptare.
Me barrën e madhe të kësaj peshe publike dhe politike, duhet që sot, Kuvendi, të saktesojë pikërisht këtë trajektorë. Nuk është aspak e tepërt të them, se ajo çka deri më tani, të gjithë ne, bashkë, njerëz në këtë sallë dhe akoma më shumë jashtë saj, që ndjejnë, mendojnë e kanë vepruar si ne, kemi arritur të gjithë së bashku, është qëndresa! Qëndresa ndaj degradimit politik që gërryen zhvillimin shoqëror dhe shuan shpresën. Qëndresa duke besuar pa kompromis tek vlerat themelore të djathta. Kemi qëndruar me koherencë duke ditur nevojën e ndryshimeve të vrullshme politike që shoqëria shqiptare i kërkon në mënyrë të zjarrtë, e që po ndodhin para syve tanë. Vetë akti i qëndresës është dicka e pazakontë në politikën shqiptare të 30 viteve. Një shoqëri e ndrydhur, e mpirë, e dalë nga portat e ferrit të diktaturës, e manipuluar nën hipokrizinë e konvertimit të komunistëve në demokratë, e trullosur nga mirazhi i lirisë dhe demokracisë, e tronditur rende, disa herë, gjatë 30 viteve, qoftë nga grapsja me dhunë e pushtetit ose nga pazari politik dhe korrupsioni me pushtetin, nuk ka njohur që një grupim njerëzish, si ne, të mund të merret me politikë, pa mjete dhune (madje shpesh herë viktimë e saj), pa pazare politike, të bindur se rruga nuk është as e lehtë dhe as e shkurtër.
