Socialistë e Shkodrës i kanë dërguar kryeministrit Rama një letër duke u shprehur kundër Edona Bilalit, e zgjedhur nga votuesit socialistë si deputete e parlamentit të ardhshëm. Kryeministri Rama e prezantoi Edonën me ambicie dhe si pjesë e PS-së, por në letrën e dërguar kryeministrit thuhet se Edona Bilali po bashkëpunon dhe po përdoret nga Tomë Doshi. Për dijeni, socialistët e Shkodrës i kanë dërguar letrën edhe ambasadores amerikane Yuri Kim, ku dënojnë ashpër veprimet e deputetes së zgjedhur.
Në letër thuhet se ata po pushojnë njerëz nga puna duke vendosur të afërm të tyre.
“Na del një Edona Bilali pa marrë mandatin kërkon të zhbëjë PS-në ne Shkodër, të hedhë në kosh punën e sakrificat e brezave që e mbajtën gjallë këtë organizëm në një qytet gjoja antikomunist, por që është peng i oligarkëve të krimit që gjoja janë bërë “zoti”. Kjo Edona që mori diku 1000 vota, së bashku me Tom Doshin po ndiejnë thelat e pushtetit duke bërë reprezalje në administratë e drejtues socialistë. Tom Doshi po shfrytëzon me dinakëri egon e një çupëline të pa mësuar me punët e politikës”.
Këto pretendime trazojnë ujërat në PS, ndërkaq nuk dihet se çfarë vendimi do të marrë kryeministri Rama. Reagimet nga PS deri më tani ende nuk ka patur. Tomë Doshi është shpallur non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit.



