Korab Gjana është një nga 20 infermierët, që ka shkuar në Itali për të luftuar koronavirusin.
Në një lidhje direke për ABC News, ai ka deklaruar se grupi shqiptarë do të punojnë javën e parë në orarin 07:00- 15:00.
Gjana ka treguar se ndonëse disa infermierë nuk e dinë mirë gjuhën italiane, kjo nuk do t’i pengojë të kryejnë punën.
‘Mjekët italianë si fillim u prezantuan dhe na thanë si do procedohet, nesër do të marrim më shumë detaje. Nga ora 7 deri në 3, do të jemi të gjithë paradite javën e parë.
Si përcjellja edhe pritja ishin mbresëlënëse, na kanë pritur me një gëzim të paparë. Një pjesë e mirë flasin mirë italisht, por nuk është problem çështja e gjuhësh pasi do të kuptohemi’, tha infermieri.
Më tej, ai ka shtuar se në fillim kur shkuan, të gjithë njerëzit i duartrokitën dhe bënin foto.
‘Të gjithë njerëzit, qoftë pacientët, apo edhe ata në ballkone na duartrokisnin, bënin foto, kamerat e mediave europiane na filmonin’, u shprej Gjana.
Kujtojmë që 10 mjekët dhe 20 infermierët shqiptarë do të qendrojnë për 1 muaj në spitalin e Breshias, pasi është një nga zonat më të goditura nga Covid-19.