Një ditë pas takimit me kryeministrin Edi Rama naftëtarët janë grumbulluar sërish në mjediset e jashtme të uzinës së naftës në Ballsh.
Pas takimit, si Rama por dhe vetë naftëtarët u shprehën se nuk kishin arritur dakordësi për të gjitha kërkesat e tyre, më konkretisht qeveria nuk merrte përsipër të paguante pagat e prapambetura pasi sipas kryeministrit ato nuk janë çështje e qeverisë, por angazhohet për gjetjen e një investitori serioz me qëllim vënien në punë të Rafinerisë.
Gjithashtu, naftëtarët do të marrin nga qeveria dhe një pagë mbështetëse për të kryer shpenzimet e nevojshme, me kusht që ata të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos kthehen më në grevë, ose të gjejnë një punë tjetër deri në vënien në punë të Rafinerisë.
Për këto opsione, naftëtarët janë mbledhur sot para ambienteve të Uzinës dhe pritet të diskutojnë me njëri-tjetrin mbi vendimin që do të marrin. Deri tani nuk ka asnjë vendim.
