Është ndarë sot nga jeta në moshën 68-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë, një nga figurat e shquara të RTSH-së dhe gazetarisë shqiptare, Afërdita Selimaj. Ajo lindi në Tiranë në vitin 1955 dhe kreu arsimin e mesëm në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në vitin 1974. Studimet e larta i zhvilloi në Fakultetin e Shkencave Politike, dega Gazetari, ku u diplomua në vitin 1977. Pas kësaj, ajo filloi rrugëtimin në fushën e gazetarisë, fillimisht nga gazeta lokale “Shkëndia” në Lushnjë në vitin 1977 dhe më pas si gazetare në Radio Tirana në vitin 1981.
Gjatë kësaj periudhe dhe pas saj, Afërdita Selimaj u shqua për kontributin e saj në trajtimin e ngjarjeve dhe problematikave kryesore të ditës në radio dhe televizion, duke përfshirë kronika dhe shënime mbi ekonominë dhe zhvillimet aktuale. Afërdita Selimaj shquhej për përkushtimin në emisionet sociale-ekonomike, duke kontribuar me pasion edhe në shumë fusha të gazetarisë radiofonike dhe televizive. Afërdita ka qenë një ndër themelueset e gazetarisë ekonomike në Shqipëri, pas ndryshimit të sistemit. Ajo, ka qenë frymëzim dhe mbështetje për të gjithë gazetarët, e veçanërisht ata të fushës ekonomike.
Për të përmendur disa nga veprat që Afërdita i la pas, mund të veçojmë emisionet televizive në RTSH, si “Cikli Otranto 97”, “Shqiptarët dhe fajdet”, telereportazhi “Expo 98 dhe Shqipëria”, realizuar në Lisbonë të Portugalisë. Në vitin 2000, ajo u emërua drejtore e departamentit të Lajmeve në Radio Tirana, pozicion që e mbajti deri në gusht të vitit 2003. Në vazhdim, ajo ka drejtuar sektorin për bashkatdhetarët në Radio Tirana. Në vitin 2003, e zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, Afërdita ka qenë kryetarja e parë e Bordit të Monitorimit të Medias, pranë KQZ-së. Gjithashtu, Afërdita Selimaj, ka qenë gazetare pranë ekipit negociator shqiptar në Gjenevë, për anëtarësimin e Shqipërisë në Organizatën Botërore të Tregtisë. Nga viti 1998 e në vazhdim, ka drejtuar Lidhjen e Gazetarëve Ekonomikë të Shqipërisë, LEGA.
Afërdita Selimaj në vitin 2021 u nderua nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh” për kontributin e vyer si gazetare dhe drejtuese e departamentit të Informacionit në Radio Tirana. E para grua në krye të Lidhjes së Gazetarëve Ekonomikë të Shqipërisë, u shndërrua në një figurë të ndjekur brenda dhe jashtë vendit për zërin e spikatur dhe aftësinë në drejtimin e emisioneve të lajmeve. Përveç kësaj, i është dhënë çmimi “Vangjush Ganbeta” nga Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, për raportin më të mirë radiofonik, për problemet ekonomike. U zgjodh Ambasadore e Paqes nga Federata Ndërkombëtare për Paqen në Botë në vitin 1999. Në 2011, ishte anëtare e trupit drejtues në Katalogun e sipërmarrjes së grave shqiptare në Bruksel.
Afërdita Selimaj, edhe pas daljes në pension, vazhdoi të kontribuojë në fushën e gazetarisë dhe informacionit përmes pjesëmarrjes në shumë programe dhe projekte mediatike. Me ndarjen e saj nga jeta, humbëm një nga gazetaret më të jashtëzakonshme dhe një kontribuese të shquar në fushën e informacionit dhe gazetarisë ekonomike. Ceremonia e homazheve në nderim të Afërdita Selimajt do të mbahet në hollin e RTSH-së të premten, 23 shkurt, ora 10:00-11:00.
