Ka humbur jetën në moshën 69-vjeçare një nga balerinat e para shqiptare të Baletit në Kosovë, Esma Mulla.
Lajmi i trishtë u bë me dije nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, e cila, përmes një postimi në “Facebook” shkruan se populli shqiptar humbi një artiste të madhe që kontribuoi shumë në art e kulturë.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin se u nda nga jeta Esma Mulla, njëra prej balerinave të gjeneratës së parë të Kosovës.
Mulla ka qenë pjesë e Baletit në Kosovë qysh prej themelimit ndërsa me performancat e saj, ka shënuar kthesë jetike jo vetëm për baletin por për vrullin teatror dhe rritjen e vlerave kulturore në Kosovë. Ka qenë e njohur për një mori rolesh dhe shfaqjesh si “Legjenda mbi ngadhënjimin“,“Vallja pranverore“, “Bolero dhe Shtrausiana“. Sot humbëm një person me vlera të çmuara që kontribuoi pareshtur për artin e vallëzimit dhe teatrit në veçanti, por edhe për kulturën e vendit tonë në përgjithësi. Ngushëllime familjes së Esma Mullës, miqve dhe komunitetit artistik! , njofton Ministria e Kulturës së Kosovës.”