Erald Lakti është kthyer në një nga emrat më të kërkuar në merkaton e futbollistëve në Serinë C italiane. Futbollisti shqiptar, i cili ka dalë nga akademia e Fiorentinës dhe është ende në pronësi të këtij klubi, ka gjetur ekipin e ri ku do të luajë i huazuar në kërë edicion, në pritje të shansit të madh për të veshur fanellën e klubit vjollë.
Në edicionin e kaluar, ai luajti me shumë sukses te Gubio, duke siguruar minuta të rëndësishëm te kjo skuadër, edhe pse vinte direkt nga kampionati i të rinjve ku kishte qenë kapiteni i Fiorentinës. Lakti tregoi se mund të përshtatej shumë mirë me kërkesat e Serisë C dhe kjo e ktheu atë ndër elementët më të vlerësuar, duke llogaritur moshën e re, pasi mesfushori shqiptar është i datëlindjes 2000.
Gubio ishte përsëri pranë akordit me të për një tjetër sezon në huazim, por në ditën e fundit, në garë ka hyrë një tjetër klub i kësaj kategorie, Renate, që ka bindur futbollistin shqiptar që të veshë fanellën e tij. Kështu, pritet zyrtarizimi i huazimit njëvjeçar të Laktit në radhët e Renate.