Policia ka gjobitur 65 qytetarë që lëviznin pa maskat mbrojtëse, janë gjobitur me nga 3 mijë lekë. Me anë të njoftimit të përditshëm, Polciia e Tiranës, bën me dije se një natë më parë, duke qenë se është festuar dhe ‘Halloëeen’, tre lokale janë ndëshkuar me nga 1 milionë lekë të reja gjobë.
Administratorët e tre lokaleve në fjalë, kishin organizuar festë me muzikë pas orës 20:00 dhe nuk kanë respektuar protokollet e sigurisë. Gjithashtu, në njoftim, bëhet me dije se janë shoqëruar në polici, edhe tetë qytetarë që nuk kanë pranuar të tregojnë mjetin e identifikimit.
Ata janë shoqëruar për në komisariat, është bërë identifikimi i tyre, janë ndëshkuar me nga 3 mijë lekë gjobë dhe më pas janë lënë të lirë.
Njoftimi nga Policia e Shtetit
Ndëshkohen me masën administrative 3.000 lekë, 765 qytetarë që lëviznin pa maskat mbrojtëse. Gjithashtu, ndëshkohen me masën 1.000.000 lekë secili, 3 administratorë lokalesh, pasi nuk respektuan protokollet e sigurisë. Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia. Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, nga Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore janë evidentuar 765 qytetarë që nuk kishin maskat mbrojtëse, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili. Gjithashtu, gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 3 lokale, në ambientet e të cilëve kishte muzikë pas orës 20:00 dhe nuk respektoheshin protokollet e sigurisë që kanë si qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19. Secili prej administratorëve të këtyre lokaleve është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë. Gjatë këtyre kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 8 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë. Policia e Shtetit falënderon qytetarët që respektojnë këtë masë mbrojtëse dhe apelon që të gjithë të vendosin maskat mbrojtëse, të respektohet me rigorozitet vetëkarantinimi i detyrueshëm nga ata qytetarë që janë të prekur me COVID-19, pronarët e lokaleve të respektojnë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19.
