Në listën e shërbimeve me pagesë që ofrojnë zyrat e kadastrës në gjithë vendin janë shtuar edhe dy zëra të rinj. Tashmë kushdo mund të kërkojë nga zyrat e kadastrës një ekstrakt informues mbi pasurinë, tarifa për këtë shërbim për qytetarët do të jetë 1,100 lekë. I njëjti shërbim është mundësuar edhe për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për rastet kur asaj i duhen të dhëna për projektin “Nafta për bujqësinë”. Edhe Ministria do të tarifohet për këtë shërbim me 1,100 lekë, po aq sa qytetarët.
Agjencia e Kadastrës ka krijuar tashmë “Bazën shtetërore të të dhënave kadastrale– ALBSCAD”, ku përfshihet së pari dokumentacioni tekniko-ligjor i pasurisë së paluajtshme dhe dokumentacioni që administrohet në kuadër të proceseve kalimtare të pronësisë, i cili merret si drejtpërdrejt nga sistemi me aplikimin për shërbim nga platformat digjitale, ashtu edhe në format shkresor; b) skedat digjitale të pasurive të paluajtshme; c) hartat kadastrale të pasurive të paluajtshme; ç) aktet administrative (urdhra, vendime etj.) dhe aktet kadastrale të krijuara nga veprimtaria administrative e ASHK-së mbi pasuritë e paluajtshme.
Do te jenë Institucionet shtetërore që ushtrojnë ndjekjen penale dhe agjencitë ligjzbatuese ato që do të kenë akses të drejtpërdrejtë si përdorues në bazën shtetërore të të dhënave kadastrale, ALBSCAD.
E drejta e hyrjes në ALBSCAD mundësohet me paraqitjen e kërkesës nga institucioni përkatës dhe, brenda 2 (dy) ditëve nga paraqitja e saj, Drejtoria e Përgjithshme e ASHK-së pajis institucionin me kodin hyrës.
Me pajisjen me kodin hyrës, institucionet sipas kanë drejtë të konsultojnë të dhënat e ALBSCAD-it dhe të printojnë ekstrakte. Për noterët publikë, e drejta e leximit dhe e printimit të ekstrakteve që tregojnë gjendjen juridike të pasurive të paluajtshme bëhet vetëm pasi të jetë marrë autorizimi me shkrim nga pala e interesuar.