Pirja e duhanit në ambiente publike detyron Ministrinë e Shëndetësisë të ashpërsojë ligjin duke propozuar masa drastike ndaj bizneseve.
Grupi i punës ka kërkuar mbylljen e aktivitetit deri heqjen e licencës për subjektet që gjobiten disa herë për duhanpirje në ambiente publike.
Ndërkohë në draft janë vendosur dhe afate.
Në rast të penalizimit me gjobë me shumë se tre herë në një periudhë kohore prej tre muaj rresht ndaj subjektit të tatueshëm merret masa e pezullimit të aktivitetit deri në shlyerjen e masave të gjobës .
Nëse për 13 vjet me ligj ndalohej vetëm pirja e cigares, tashmë do të ndalohen edhe format e tjera të duhanpirjes si nargjileja, cigarja elektronike apo duhanet pa tym.
Ndërsa tregtimi i duhanit nuk do të bëhet më në market apo në dyqanet e lagjeve. Pikat e shitjes së produkteve të duhanit pajisen me një licencë të veçantë , me qëllim kufizimin e numrit të pikave të shitjes së këtyre produkteve në vend, raporton A2.
“Prodhuesit dhe/ose importuesit e produkteve të duhanit janë të detyruar të lajmërojnë Ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, për çdo produkt të ri jo karakteristik që fut në vend, cigare elektronike apo çdo produkt që do të dalë në treg në vitet e ardhshme”.
Ndryshimet e propozuara do të konsultohen me grupet e punës dhe në komisionin e shëndetësisë.
Ndërkohë sipas të dhënave nga INSTAT dekadën e fundit është ulur me 7% numri i meshkujve që pinë cigaren dhe është rritur me 1 % duhanpirja nga femra.