Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Facebook Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
Aktualitet

Ndryshojnë rregullat e prokurimit publik, nga kriteret e tenderëve te nënkontraktimi dhe afatet e ankimimit

14:35 / November 26, 20266 Mins Read
Facebook LinkedIn Email WhatsApp
1750074564xtender 285
Share
Facebook LinkedIn Email WhatsApp

Qeveria ka përgatitur një paketë të gjerë ndryshimesh në rregullat e prokurimit publik, që prek kriteret e kualifikimit të bizneseve, përllogaritjen e vlerës së kontratave, nënkontraktimin, prokurimet me vlerë të vogël, profesionalizimin e punonjësve dhe procedurat e ankimimit.

Projektvendimi i hedhur në konsultim publik, parashikon ndryshime në vendimin nr. 285, datë 19.05.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.

Sipas relacionit shoqërues, ndryshimet adresojnë gjithashtu problematikat e evidentuara gjatë zbatimit në praktikë të rregullave të prokurimit, me synim përmirësimin e klimës së biznesit dhe rritjen e konkurrencës.

Agjencia e Prokurimit Publik bëhet Autoritet

Një nga ndryshimet institucionale është zëvendësimi në të gjithë kuadrin rregullator i emërtimit “Agjencia e Prokurimit Publik” me “Autoriteti i Prokurimit Publik”.

Sipas relacionit, ndryshimi nuk prek statusin juridik, kompetencat, funksionet, të drejtat dhe detyrimet e institucionit, por synon të pasqyrojë më mirë rolin e tij si organ qendror rregullator në fushën e prokurimit publik.

Më shumë fleksibilitet në kriteret e eksperiencës së bizneseve

Për të garantuar një nivel të përshtatshëm konkurrence, autoritetet kontraktore do të mund të marrin në konsideratë edhe eksperiencën e bizneseve për punë të ngjashme të rëndësishme të realizuara përpara pesë viteve të fundit.

Për kontratat e furnizimit me mallra dhe të shërbimeve, parashikohet mundësia e marrjes në konsideratë të eksperiencës edhe përpara tre viteve të fundit.

Ndryshimet krijojnë mundësi për zgjerimin e pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë në tenderë, duke mos e kufizuar domosdoshmërisht vlerësimin e eksperiencës së tyre vetëm në periudhat e përcaktuara deri më tani.

Gjithashtu, autoritetet kontraktore do të mund të kërkojnë informacion për zinxhirin e furnizimit, sistemet e gjurmimit, masat e menaxhimit mjedisor, kualifikimet profesionale të stafit dhe përqindjen e kontratës që operatori ekonomik parashikon të nënkontraktojë.

Për plotësimin e kritereve financiare, bizneseve mund t’u kërkohen deklarata bankare ose vërtetime për sigurimin ndaj rreziqeve profesionale.

Në rastet kur operatori ekonomik, për arsye të justifikuara, nuk mund të paraqesë dokumentet e kërkuara, ai do të mund të provojë gjendjen ekonomike dhe financiare nëpërmjet një dokumenti tjetër që autoriteti kontraktor e konsideron të përshtatshëm.

Rregulla të reja për ndarjen e tenderëve në lote

Projektvendimi ndryshon mënyrën e përllogaritjes së vlerës së kontratave dhe përcaktimit të procedurave për tenderët e ndarë në lote.

Si rregull, procedura që do të ndiqet për secilin lot duhet t’i korrespondojë vlerës totale të parashikuar të të gjitha loteve.

Megjithatë, për kontratat mbi kufirin e lartë monetar, lotet individuale mund të prokurohen sipas procedurave të parashikuara për vlera më të ulëta monetare, nëse vlera e tyre pa TVSH është më e vogël se: 7,615,200 lekë për furnizimet me mallra ose shërbimet; 95,190,000 lekë për punët publike.

Në çdo rast, vlera totale e loteve për të cilat përdoret ky përjashtim nuk duhet të tejkalojë 20% të vlerës së përgjithshme të të gjitha loteve.

Ndryshime parashikohen edhe për përllogaritjen e vlerës së kontratave të shërbimeve me afat të pacaktuar ose me kohëzgjatje mbi 48 muaj, ku si bazë do të merret vlera mujore e shumëzuar me 48.

Prokurimet me vlerë të vogël, mundësi për blerje shtesë gjatë vitit

Institucionet publike do të mund të përdorin sërish procedurën e prokurimit me vlerë të vogël edhe pasi të kenë realizuar të gjithë vlerën e parashikuar për këtë kategori prokurimesh gjatë vitit.

Kjo do të lejohet në rastet kur gjatë vitit kalendarik lindin nevoja shtesë, të cilat nuk kanë qenë të mundura të parashikohen në fillim të vitit dhe që janë brenda kufirit monetar të prokurimeve me vlerë të vogël.

Ndryshimi synon t’u japë institucioneve më shumë fleksibilitet për përballimin e nevojave të paparashikuara.

Kontrolle të shtuara për nënkontraktorët

Projektvendimi parashikon forcimin e mekanizmave të verifikimit të subjekteve që përfshihen në zbatimin e kontratave publike nëpërmjet nënkontraktimit.

Autoritetet kontraktore do të kërkojnë zëvendësimin e një nënkontraktori nëse nga verifikimet rezulton se ai ndodhet në kushtet ligjore të skualifikimit.

Kontraktori kryesor do të jetë i detyruar të informojë autoritetin kontraktor për çdo ndryshim të nënkontraktorëve gjatë zbatimit të kontratës, si dhe të paraqesë informacionin e kërkuar për subjektet e reja që përfshihen në realizimin e saj.

Pas dhënies së kontratës, nënkontraktorët do të duhet të paraqesin certifikatat dhe dokumentet mbështetëse në vend të vetëdeklarimeve, për efekt të verifikimit të kushteve të skualifikimit.

Ofertat anomalisht të ulëta do të verifikohen në çdo rast

Një tjetër ndryshim lidhet me shqyrtimin dhe vlerësimin e ofertave ekonomike.

Projektvendimi përcakton se përllogaritja e ofertës anomalisht të ulët do të bëhet në çdo rast, pavarësisht kritereve të përdorura për shpalljen e ofertës fituese.

Gjithashtu, institucionet do të duhet të dokumentojnë nëpërmjet procesverbaleve edhe ndryshimet e bëra në kërkesat për kualifikim, kapacitetet teknike, specifikimet teknike dhe kriteret për shpalljen e ofertës fituese.

Këto procesverbale do të bëhen pjesë e dosjes së tenderit dhe do të përfshihen në dokumentacionin që publikohet.

Prokurimet e përqendruara, përcaktohen përgjegjësitë

Projektvendimi përcakton më qartë ndarjen e përgjegjësive ndërmjet organeve qendrore blerëse dhe institucioneve përfituese të prokurimeve të përqendruara.

Organi qendror blerës ose autoriteti të cilit i është deleguar e drejta e prokurimit do të jetë plotësisht përgjegjës për zhvillimin e procedurës, nga nxjerrja e urdhrit të prokurimit deri te publikimi i njoftimit të shpalljes së fituesit.

Ndërkohë, nënshkrimi i kontratës do të bëhet nga vetë autoritetet kontraktore përfituese, me përjashtim të rasteve kur aktet e tjera ligjore përcaktojnë ndryshe.

Për marrëveshjet kuadër parashikohet që ato të nënshkruhen me vlerën totale të përllogaritur të marrëveshjes.

Gjithashtu, në raste të jashtëzakonshme dhe plotësisht të justifikuara, kohëzgjatja e marrëveshjeve kuadër do të mund të tejkalojë kufijtë prej katër vitesh për sektorin klasik dhe tetë vitesh për sektorin utilitar.

Bizneset mund të kërkojnë pavlefshmërinë e kontratave edhe pas nënshkrimit

Projektvendimi përcakton afate të posaçme për ankesat e operatorëve ekonomikë që kërkojnë shpalljen e pavlefshmërisë së një kontrate publike pas nënshkrimit të saj.

Në rastet kur është publikuar njoftimi i fituesit ose operatorët ekonomikë janë informuar për lidhjen e kontratës, duke u vënë në dispozicion arsyet përkatëse sipas kushteve të përcaktuara në projektvendim, afati i ankimimit do të jetë 30 ditë kalendarike.

Në rastet e tjera, afati i parashikuar është një periudhë prej të paktën gjashtë muajsh, duke nisur nga dita pasardhëse e lidhjes së kontratës.

Për procedurat me negocim pa shpallje paraprake, kur është publikuar një njoftim vullnetar i transparencës, operatorët ekonomikë do të kenë 10 ditë kalendarike për të paraqitur ankesat lidhur me kushtet e përdorimit të procedurës dhe përmbajtjen e dokumenteve të tenderit. /ekofin.al

kriteret e tendereve Prokurimi publik rregullat
Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Email WhatsApp

Postime te ngjashme

Elisa Spiropali: Gabimi më i madh i Ramës është…

22:57 / November 26, 2026

Ministrja Ibrahimaj takim konsultues me bankat për skemat e kreditimit të lehtësuar për blerjen e banesës në vitin 2027

13:46 / November 26, 2026

Reshjet sjellin prani uji në rrugët e Durrësit, vështirësohet qarkullimi i mjeteve

13:35 / November 26, 2026

Ndahet nga jeta mjeku i njohur dhe ish-deputeti i PS-së, Ylli Ziçishti shuhet në moshën 76-vjeçare

12:31 / November 26, 2026
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

© 2026 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.