Programet e nxitjes së punësimit për personat e dalë të papunë si pasojë e COVID-19 do të zbatohen deri në datën 31 dhjetor 2021. Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime në vendimin e mëparshëm, duke përcaktuar për herë të parë afetet se deri kur do të jetë në zbatim skemat e mbështetjes, pasi deri më tani nuk kishte afate konkrete në këtë drejtim. Gjithashtu, sipas ndryshimeve qeveria ka përcaktuar se përfitues nga skemat e punësimit mund të jenë personat të dalë të papunë si pasojë e COVID-19, nga data 10 mars 2020 deri në datën 31 dhjetor 2020, nga 23 qershor 2020 që ishte deri më tani.
Ndërkaq, ndryshime janë bërë edhe në drejtim të kritetreve që duhet të plotësojnë punëdhënësit për të përfituar. Kështu, ata duhet të jenë personat fizikëapo juridikë të regjistruar, nga shoqëri tregtare që ishte në udhëzimin e mëparshëm. Për të ulur shifrat e papunësisë që prodhoi pandemia COVID-19, qeveria vuri në dispozicion tre programe punësimi, 4, 8 dhe 12-mujore më qëllim reduktimin e kostove të biznesit dhe nxitjen e tyre për të marrë staf të ri. Kështu, qeveria mori përsipër subvencionimin e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore në masën 100 për qind për të gjithë periudhën e kohëzgjatjes, për të tre programet, ndërsa ofron edhe pagën minimale për dy programet e para.
Por, deri më tani këto paketa nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ndikuar në uljen e papunësisë në vend, pasi të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë treguan se shpenzimet nga buxheti i shtetit për pagesën e papunësisë u dyfishuan për 2- mujorin e parë të vitit 2021, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke reflektuar humbjen e vendeve të punës përgjatë epidemisë së shkaktuar nga COVID-19. Ndërkohë që, sipas Institutit të Statsitikave, në fund të vitit 2020 numri i të punësuarve në vend ishte 1.23 mln, nga 1.27 mln që ishte në fund të vitit 2019, duke reflektuar një rritje me 40 mijë të numrit të të papunëve në vend.