Episodi i radhës i PodKastit FLASIM nga Kryeministri Edi Rama iu dedikua besimit duke qenë se jemi në muajin e shenjtë të Ramazanit.
I titulluar “Në emër të Zotit, lexo!”, i ftuar ishte myftiu i sapozgjedhur i Tiranës, Bilal Teqja.
Myftiu Teqja tregoi rrugëtimin e tij se si u përkushtua besimit islam, hera e parë kur hyri në xhami si edhe periudhën e studimeve në shkollat fetare.
Myftiu foli rreth besimit islam si edhe për efektet e agjërimit gjatë Ramazanit.
“Nëse e mendojmë besimin islam si një ndërtesë të bukur, ajo mbahet në 5 shtylla. E para, është fjala. Katër të tjera janë vepra, agjërimi, falja, axhi, zekati. Nga të gjithë adhurimet, agjërimi i Ramazanit është më interior, sepse kultivon sinqeritet, kultivon shpirtin e njeriut, që përmbledh kodet morale që ka njeriu në jetë. Është momenti më i mirë për të kuptuar se çfarë vlerash ke ti si njeri, çfarë mund të rregullosh, çfarë mund të japësh më shumë”, u shpreh Teqja.
Rama u ndal më tej te rëndësia e leximit, duke cituar profetin Muhamed: “Paqja e Zotit qoftë mbi të, që boja e shkrimit të nxënësit është më e shenjtë se gjaku i martirit”, ndërsa muftiu theksoi se “Dija është pikënisja e gjithçkaje”
