Policia italiane ka vënë në pranga një 52-vjeçar ndaj të cilit Shqipëria kishte lëshuar urdhër arresti për trafik droge.
Ka qenë kontroll rutinë i policisë në stacionin e pritjes në linjën hekurudhore në Catania ku personi pasi kishte parë efektivët kishte nxituar të hipte në tren.
Kjo ka bërë që ata të dyshonin për të dhe e ndaluan për ta kontrolluar. Policia zbuloi se 52-vjeçari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga mediat italiane, ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për trafik ndërkombëtar droge dhe falsifikim dokumentesh.
Tashmë ai është arrestuar në pritje të ekstradimit në Shqipëri.
